Erblin Bardhoshi, shqiptari që po shkëlqen në futbollin amerikan

16 shkurt 2021 | 16:39

Kosova e ka edhe një sportist që po shkëlqen në Gjermani. Bëhet fjalë për Erblin Bardhoshin i cili është mjaft i suksesshëm në futbollin amerikan. Ai këtë vit është transferuar nga Bielefeld Bulldogs te Paderborn Dolphins.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Erblin Bardhoshi ka filluar të merret me futbollin amerikan para katër vjetësh. Bardhoshi të martën në një bisedë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se në të kaluarën nuk ka menduar asnjëherë se do të luajë në këtë sport.

Erblini tregon se futbolli amerikan është shumë i popullarizuar në Amerikë ashtu sikurse futbolli në Evropë. “Që katër vjet merrem me futbollin amerikan. Pasi gjithë jetën kam luajtur në futbollin normal dhe nuk e kam pasur në mend këtë lojë dhe nuk e kam ditur se ekziston ky sport në Gjermani, por tash është duke u rritur çdo vit e më shumë”, ka thënë Erblin Bardhoshi.

Futbolli amerikan nuk dallohet me lojtarë të futbollit normal, pasi çdo ekip duhet t’i ketë nga 11 lojtarë në fushë dhe dallimi me futbollin normal është se lojtarët mund të ndërrohen sa herë që është e nevojshme, pra për këtë arsye i kanë 40 lojtarë rezervë.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Erblin Bardhoshi më pas ka folur në detaje për zhvillimin e karrierës së tij në këtë sport mjaft atraktiv. “Në fillim ka qenë sport i komplikuar, por me ndihmën e një shoku kam kuptuar shpejt rregullat e lojës. Pas një viti kam filluar të merrem intensivisht dhe normalisht se ishte shumë interesant si sport. Në vitin 2016, kur isha 21 vjeç, ia kam filluar te Bielefeldi, por fillimisht kam shkuar në prova për ta parë mundësinë se a jam lojtar adekuat për këtë sport.

Trajnerit të Bielefeldit i kam pëlqyer qysh kam ushtruar dhe më ka dhënë vullnet që të vazhdojë të merrem me këtë sport. Pra, ekipi im i parë ka qenë Bielefeld Bulldogs ku kemi luajtur për dy vjet në Ligën e Dytë të Gjermanisë. Pastaj kemi rënë në ligën e tretë, por në çdo vit e kemi zënë vendin e dytë në ligë”, ka deklaruar ai.

Djaloshi shqiptar këtë vit është transferuar në ekipin e Paderborn Dolphins, pasi ky klub i ka ofruar kushte më të mira se ish-klubi i tij, Bielefeld. “Këtë vit kam vendosur të luaj për Paderborn Dolphins, i cili është një ekip 30 minuta larg Bielefeldit. Kam vendosur ta ndërroj ekipin për shkak se Paderborni më ka bërë një ofertë më të mirë sesa Bielefeldi. Paderborni luan në Ligën e Tretë të Gjermanisë dhe nëse na lejohet të luajmë sivjet, synim kemi të ngrehemi në Ligën e Dytë të Gjermanisë”, ka thënë Erblin Bardhoshi.

Sportisti me prejardhje nga Gjakova ka treguar edhe për dallimin në mes të futbollit normal dhe futbollit amerikan. “Përpara e këqyrshim veç në televizion dhe kurrë nuk më ka shkuar mendja se do të luaj në këtë sport, pasi e kam pasur përshtypjen se është i komplikuar. Futbolli amerikan është i popullarizuar nëpër kolegje dhe fakultete të Amerikës. Dallimi me futbollin është se kjo lojë luhet me fuqi dhe me teknikë, sidomos me kokë. Duhet me qenë shumë i përgatitur. Fitnesi ka shumë rëndësi në këtë sport dhe nëse nuk je i përgatitur, është mirë të mos rrezikosh dhe të luash”, ka përfunduar Bardhoshi.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti,…