Erdhën nga diaspora dhe i dërguan në karantinë
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se 55 qytetarë nga vendet e ndryshme të botës sot janë kthyer në Kosovë. Ata menjëherë u vendosën në Qendrën e Studentëve për 14 ditë. Abdixhiku përsëri ka bërë thirrje që personat që nuk kanë ndonjë urgjencë të mos kthehen në Kosovë.
Njoftimi i tij:
Mission complete!
Edhe 55 qytetarë tanë – nga vende të ndryshme të botës – i kthyem sot në Kosovë. Familjarë, gra, burra, të moshuar, mirë se vini në shtetin tuaj. Të njëjtit u vendosën në Qendrën e Karantinës për 14 ditë. Aty do të kenë kujdesin e mjaftueshëm për qëndrim.
Si Ministër në detyrë do të vazhdoj koordinimin institucional të kthimit deri në momentin e fundit. I falënderoj të gjithë të angazhuarit në ministrinë tonë, ata në diplomaci, polici, shëndetësi e ushtri që mundësuan këtë kthim. Po i jepni kuptim shtetit.
I lus shtetasit e Kosovës që nuk kanë urgjencë kthimi të mos paraqiten në ambasadat tona nëpër botë. Si shtet i ri kemi nevojë për ndihmën tuaj; për durim. Po patët mundësi, kudo që jeni në botë, qëndroni në shtëpi.