Erdhi koha për president shqiptar të Maqedonisë së Veriut

17 prill 2019 | 13:16

Kandidati i pavarur për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut, profesori Blerim Reka, ka thënë se fushata parazgjedhore është duke shkuar mirë dhe mbështetja e qytetarëve ka kaluar pritshmëritë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se entuziazmi i qytetarëve dhe kritikat e oponentëve konfirmojnë se kandidatura për president ka qenë e qëlluar.

“Shkëlqyeshëm, bile edhe mbi pritshmëritë. Nëse në çdo tubim me qytetarët deri më tash sheshet dhe sallat ishin të stërmbushura, ndërkaq që partitë shqiptare në qeveri, së bashku me kryeministrin, merreshin vazhdimisht me mua, kjo dëshmon se vendimi im për t’u kandiduar si i pavarur për president ishte i qëlluar. Entuziazmi i qytetarëve dhe kritikat e oponentëve vetëm ma shtojnë bindjen se ky vendim ishte serioz. Ndërkaq, propaganda me ‘fake news’ dhe lufta hibride kundër meje, gjatë tërë fushatës, flasin se kandidimi im si duket i paska prishur ca matematika më të gjera”, është shprehur Reka, duke shtuar se pret përkrahje të gjerë të qytetarëve.

“Meqë ofroj koncept universal politik ‘Për Republikën për të gjithë me ligjin mbi të gjithë’ shpresoj në përkrahje të gjerë të qytetarëve të lodhur nga tranzicioni i tejzgjatur postkomunist dhe postkonfliktual. Qytetarët duan ndryshime dhe jetë më të mirë, duan një program antiestablishment i cili do t’i mbyllë gati tri dekada të dominimit të dy partive politike maqedonase (VMRO-DPMNE dhe LSDM) dhe të dy tjerave shqiptare, (PDSh dhe BDI), të cilat vetëm riciklonin njëra-tjetrën në pushtet”, ka theksuar ai.

Sipas Rekës, qytetarët nuk do t’i dëgjojnë direktivat partiake, por ndërgjegjen e vet. “Sa iu përket pritjeve të 21 prillit, fatmirësisht nuk jemi në komunizëm, kur komitetet qendrore të ‘nënës parti’ i tregonin popullit se kënd duhet votuar. Qytetarët nuk do t’i dëgjojnë direktivat partiake, por ndërgjegjen e vet”, ka thënë ai.

Reka ka shprehur optimizëm se do të jetë pjesë e raundit të dytë të zgjedhjeve. Ai ka treguar se platforma e tij parasheh një republikë shumetnike, euroatlantike dhe me sundim të ligjit. Reka është zotuar se do të angazhohet për ç’kapjen e shtetit dhe deprivatizimin e tij.

“Epoka e re”: Z. Reka, si e po ju ecën fushata parazgjedhore? Platforma juaj, a po mbështetet nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut?
Reka: Shkëlqyeshëm, bile edhe mbi pritshmëritë. Nëse në çdo tubim me qytetarët deri më tash sheshet dhe sallat ishin të stërmbushura, ndërkaq që partitë shqiptare në qeveri së bashku me kryeministrin merreshin vazhdimisht me mua, kjo dëshmon se vendimi im për t’u kandiduar si i pavarur për president ishte i qëlluar. Entuziazmi i qytetarëve dhe kritikat e oponentëve vetëm ma shtojnë bindjen se ky vendim ishte serioz. Ndërkaq, propaganda me fake news dhe lufta hibride kundër meje, gjatë tërë fushatës, flasin se kandidimi im, si duket, i paska prishur ca matematika më të gjera.

“Epoka e re”: Nga kjo që keni parë deri më tani, ku mendoni se do të merrni më shumë përkrahje të dielën?
Reka: Meqë ofroj koncept universal politik ‘Për Republikën për të gjithë me ligjin mbi të gjithë’ shpresoj në përkrahje të gjerë të qytetarëve të lodhur nga tranzicioni i tejzgjatur postkomunist dhe postkonfliktual. Qytetarët duan ndryshime dhe jetë më të mirë, duan një program antiestablishment i cili do t’i mbyll gati tri dekada të dominimit të dy partive politike maqedonase (VMRO-DPMNE dhe LSDM) dhe të dy të tjerave shqiptare, (PDSh dhe BDI), të cilat vetëm riciklonin njëra-tjetrën në pushtet.

“Epoka e re”: Cilat janë pikat e forta të platformës suaj me anë të të cilave synoni t’i mposhtni kundërkandidatët?
Reka: Një Republikë shumetnike dhe euroatlantike, me zero probleme me fqinjët si parandalim i shtetit të zbrazur. Maqedonia është shtet, por ende nuk është Republikë. Për t’u bërë Republikë e njëmendët, duhet sundim i ligjit dhe jo i individit, nevojitet gjyqësor i depolitizuar dhe administratë jo e nepotizuar, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me një fjalë, unë ofroj ç’kapjen e shtetit dhe deprivatizimin e shtetit, apo modelin e një shteti të cilin nuk do ta udhëheqin oligarkët. Pa këto ndryshime do të jemi larg BE-së. Lajmet e fundit nga Brukseli vetëm sa e vërtetuan parashikimin tim, se në qershor Këshilli Evropian nuk do t’i japë datë për fillimin e negociatave anëtarësuese Maqedonisë. Me muaj po e them të njëjtën, se vendi nuk bëri reforma në gjyqësor as në administratë publike, as në shërbimet e zbulimit dhe kundërzbulimit e, më së paku, në luftën kundër korrupsionit. Qeveritarët, ndërkaq, tash e një vit plot gojë thoshin, në qershor fillojmë negociatat me BE-në! Vetëm para disa ditësh edhe Qeveria pranoi më në fund parashikimet e mia: se nuk ka datë për negociata në qershor. Tash thonë në dhjetor! Pra, të përfundoj, unë nuk i mbaj me autobusë pjesëmarrësit e mitingjeve të mia. Ata vijnë vetë masivisht sepse unë nuk u premtoj të pamundurën. Ata u besojnë parashikimeve të mia reale dhe jo atyre joreale të oponentëve të mi dhe këtu shoh avantazhin tim në këtë garë presidenciale. Fundja, simpatitë e qytetarëve mbase i fitova edhe nga fakti se po garoj kundër një kandidati qeveritar (pas të cilit qëndrojnë 31 parti politike, në krye me LSDM-në) dhe kandidates tjetër të opozitës kryesore maqedonase VMRO-DPMNE.

“Epoka e re”: Disa prej partive të mëdha shqiptare nuk po ju mbështesin juve, por kandidatin e koalicionit për president. Pavarësisht prej kësaj, prisni që në zgjedhjet e 21 prillit shqiptarët të votojnë për ju dhe të mos i dëgjojnë thirrjet e liderëve politikë?
Reka: Është vendim i këtyre partive shqiptare në Qeveri që ta ftojnë elektoratin e vet që të mos votojnë kandidatin shqiptar, por atë maqedonas. Janë po të njëjtat parti shqiptare të cilat para vitit 2001 shisnin patriotizëm, ndërkaq pas këtij viti edhe trimëri kombëtare. Në vitin 2019 ato humbën identitetin e tyre burimor politik dhe u shndërruan në degë të partisë në pushtet, duke udhëhequr edhe fushatë të tyre elektorale kundër kandidatit shqiptar. Njëra parti tërë këto 18 vjet në pushtet shiste ‘nacionalizëm’ komercial, kurse tjetra ‘patriotizëm’ tenederik. Prandaj edhe nuk mund të pritej gjë tjetër nga këto parti që tërë këto vite inauguruan modelin e ‘pritjes para derës së kryeministrit’, i cili kërcënonte njërën me hyrjen e tjetrës në qeveri, sa herë që partia shqiptare guxonte ta hapte gojën. Sot, më në fund, i futi të dyja në qeveri dhe tash janë në shërbim të qeverisë, pra edhe në përkrahje të kandidatit qeveritar. Jorastësisht, sot kemi 2 UÇK. Njërën që tash e 18 vjet mbeti në rrugë pa status të zgjidhur, (konform Aneksit C të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit për risocializimin e tyre). Dhe tjetrën në Qeveri. Tash 18 vjet në Qeveri janë ish-komandantët e veteranëve të UÇK-së të cilët për tërë këto vite nuk arritën ta aprovojnë as edhe ligjin që rregullon statusin e tyre. Sa iu përket pritjeve të 21 prillit, fatmirësisht nuk jemi në komunizëm, kur komitetet qendrore të ‘nënës parti’ i tregonin popullit se kënd duhet votuar. Qytetarët nuk do t’i dëgjojnë direktivat partiake, por ndërgjegjen e tyre.

“Epoka e re”: Çfarë pritjesh keni nga zgjedhjet e 21 prillit? Jeni optimist se do të mund të shkoni në balotazh?
Reka: Gjithsesi. Ka ardhur koha për president shqiptar të Maqedonisë së Veriut.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e…