Erdhi kryeministri Kurti nga Japonia, sot takohet me ministrin e Jashtëm të Çekisë
29 shtator 2022
| 09:12
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kthyer në Kosovë pas një vizite disaditore që e kishte në Japoni.
Zyra për media e kryeministrit ka njoftuar se Kurti sot do të takohet me ministrin e Jashtëm të Çekisë, Jan Lipavsky, duke nisur nga ora 14:15.
Kurti në Japoni është takuar edhe me homologun e tij, Fumio Kishida, të cilin e ka ftuar ta vizitojë Kosovën.
“Japonia është vend shumë i rëndësishëm i G7, me të cilën ne ndajmë pikëpamje të njëjta vlerore dhe strategjike. Në fund të takimit Kryeministri Kishida më tha të përcjell përshëndetjet e tij për popullin e Kosovës, kurse unë e ftova ta vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt”, ka shkruar Kurti në Facebook të mërkurën.