Erdhi nga Amerika për të marrë me vete ca gurë nga vendlindja e prindit të saj
Sado larg që t`i çojnë rrugët e jetës, shqiptarët kurrë nuk e harrojnë vendlindjen e tyre, ku kthehen herë pas here për t`u çmallur me tokën dhe qiellin e atdheut.
Vana Jerliu Ramadani ka bërë mijëra kilometra rrugë nga Chicago në Dazhnicë të Kamenicës, për të vizituar shtëpinë ku ka lindur babai i saj, Xhaviti, i cili është ndarë nga kjo botë prej disa vitesh, shkruan Mediafokus.info.
Fëmijëve të saj në Amerikë, ajo u dërgoi disa gurë të rrugicave ku është rritur e nga ka ecur gjyshi i tyre, Xhaviti.
‘Nuk harrova të marrë me vete në Chicago një pjesë të Dazhnicës. I solla disa gurë që i mblodha rrugës ku ka ecur babai im. Këta gurë ishin dhurata më e çmuar për fëmijët e mi”, thotë Vana Jerliu Ramadani.
‘Këto ditë vizitova vendlindjen e babait tim, Dazhnicën. Vizitova shtëpinë ku babai im ka lindur dhe është rritur. Ishte një ndjenjë e veçantë, një natyrë magjepse që relaksoi shpirtin tim. U mundova të vizitoj vendet ku ka shëtitur babai im i dashur, që u largua nga kjo botë para 12 vitesh.
Sikur e përjetova ndjenjën se nga vij unë, edhe pse kam lindur në Gjilan. Por, ato male të bukura kanë kuptimin e madhështisë dhe lashtësisë së jetës në këto troje.
Me krenari u dërgova foto fëmijëve të mi në Chicago, duke u treguar se nga kjo bukuri e rrallë vij unë dhe gjyshi i juaj, Xhavit Jerliu.
Ai ishte një gjysh i mrekullueshëm që la kujtime të bukura te fëmijët e mi.
Nuk harrova të marrë me vete në Chicago një pjesë të Dazhnicës. I solla disa gurë që i mblodha rrugës ku ka ecur babai im.
Gurët e Dazhnicës që i solla në Amerikë ishin dhurata më e çmuar për fëmijët e mi’, ka thënë Vana.