Erdhi për ta festuar Vitin e Ri në Kosovë, mërgimtari kthehet në Gjermani shkaku i mungesës së rrymës
Asamblisti i Komunës së Ferizajt, Sadet Ismajli, ka thënë se vëllai i tij është detyruar që të kthehet në Gjermani para kohës së planifikuar, edhe pse kishte ardhur në Kosovë për ta festuar Vitin e Ri.
Bashkë me të do të shkojë edhe vëllai që jeton në Kosovë.
“Vëllai erdhi nga Gjermania për festën e Vitit të Ri, por katrahura e rrymës e bëri të kthehej sot për në Gjermani, dhe së bashku me të edhe unë po shkoj me e festu atje”.
“Ende më e dhimbshme është kur deputetët e pozitës që vijnë nga Ferizaj tentojnë të hedhin fajin te kryetari i komunës më të suksesshme, Agim Aliu, i cili bëri thirrje për furnizimin me energji elektrike, pasi Ferizaj ka mbetur pa rrymë për ditë të tëra”.
“Çfarë thyerje shprese për këta vëllezër e motra që aq shumë i besuan këtij kryeministri”, ka shkruar Ismajli në “Facebook”.
Ditëve të fundit është raportuar për ndërprerje të shumta të rrymës në Ferizaj, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës.
Ministria e Ekonomisë i ka lutur qytetarët që të jenë “sa më të kujdesshëm në konsumin e energjisë”.