Erdogan bën thirrje që palestinezët të bashkohen
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u bëri thirrje palestinezëve që të bashkohen, në mes të luftës të Izraelit në Gazë.
Këtë deklaratë ai e bëri pasi zhvilloi një takim, që zgjati disa orë, me shefin e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – Ismail Haniyeh, në Stamboll më 20 prill.
Erdogan ka kërkuar, por deri më tani ka dështuar, që të paraqesë veten si një ndërmjetës në luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë, që nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit. Po ashtu, tensionet janë të larta në Lindjen e Mesme, pasi është raportuar për sulme mes Iranit dhe Izraelit.
Erdogan tha se uniteti i palestinezëve është “vital”, pas takimit që zhvilloi me udhëheqësin politik të Hamasit në Palllatin Dolmabahçe.
“Përgjigja e fuqishme ndaj Izraelit dhe rruga drejt fitores varen nga uniteti dhe integriteti”, tha Erdogan, sipas njoftimit për media, raporton Rel.
Me Katarin që ka thënë se do të rivlerësojë rolin e tij si ndërmjetës mes Hamasit dhe Izraelit, Erdogan dërgoi të enjten në Doha ministrin e tij të Jashtëm, Hakan Fidan. Kjo lëvizje është sinjal se Turqia e dëshiron këtë rol.
Hamasi, që është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, ka një zyrë në Turqi që nga viti 2011, kur Turqia ndihmoi në arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e një ushtari izraelit.
Hamasi është rival i Fatahut, që udhëheq Autoritetin Palestinez, në Bregun Perëndimor, të pushtuar nga Izraeli.
Përderisa po rritet frika për një luftë më të gjerë në rajon, Erdogan ka deklaruar se sulmet e raportuara mes Iranit dhe Izraelit nuk duhet që të lejojnë që Izraeli “të përfitojë territor, prandaj është e rëndësishme të veprohet në mënyrë që vëmendja të mbetet në Gazë”.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, ka dënuar takimin mes presidentit turk dhe shefit të Hamasi.
Ndryshe, nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore izraelite, në Gazë janë vrarë mbi 34.000 persona, kanë thënë zyrtarët shëndetësorë në territorin e udhëhequr nga Hamasi.