Erdogani bisedon me Putinin për mbrojtjen dhe Sirinë
Presidentët e Rusisë dhe Turqisë të mërkurën filluan bisedimet për frenimin e dhunës së përtërirë në veriperëndim të Sirisë dhe mbase zgjerimin e marrëveshjes për blerjen e sistemit rus të mbrojtjes raketore nga ana e Ankarasë.
Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë fuqishëm këtë marrëveshje pasi thonë se sistemi rus paraqet rrezik për armatimin e NATO-s, pjesë e së cilës është edhe Turqia.
Bisedimet mes Erdoganit dhe Putinit po zhvillohen në Soçi të Rusisë.
Erdogan i tha Putinit se dëshironte të diskutonte bashkëpunimin e në fushën e mbrojtjes, pavarësisht kundërshtimeve të SHBA.
“Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB -së na pyetën veçanërisht për çështje të caktuara. Ne u përgjigjem duke thënë se nuk është e mundur që të kthehemi prapa nga veprimet që kemi marrë. Unë veçanërisht e besoj këtë: është me rëndësi të madhe për ne që të vazhdojmë në forcimin e lidhjeve Turqi-Rusi”, i tha Erdogan, Putinit.
Turqia bleu sistemin rus të mbrojtjes raketore S-400 në vitin 2019, duke nxitur kështu sanksione nga ana e SHBA-së kundër sektorit të mbrojtjes turke.
Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar për më shumë veprime kundër Turqisë nëse blen vazhdon me blerjen e pajisjeve.
Një çështje tjetër që pritet të diskutohet është edhe situata në Siri.
Zyrtarët turq thanë para takimit se Erdogan do t’i bënte presion Putinit për një kthim të armëpushimit të vitit të kaluar që i dha fund sulmit të ushtrisë ruse dhe siriane ndaj luftëtarëve të mbështetur nga Turqia në rajonin Idlib të Sirisë.
Udhëheqësi rus tha se negociatat me Turqinë ndonjëherë janë të vështira, por që të dyja vendet kanë mësuar se si të arrijnë kompromise./rel/