Erdogan dënon njohjen e gjenocidit armen nga ShBA-ja
Presidenti i Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan dënoi njohjen e gjenocidit ndaj armëneve nga ana e presidentit amerikan, Joe Biden.
Ai tha se vendimi do të ketë një “ndikim të rëndë” në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Në një fjalim televiziv pas një takimi të kabinetit, Erdogan i tha Bidenit që së pari “të shikohej në pasqyrë” përpara se të fajësonte kombin turk për kryerjen e gjenocidit.
“Kombit turk nuk mund t’i vendosni etiketën e gjenocidit”, tha Erdogan në deklarimin e parë lidhur me këtë çështje.
Më 24 prill Biden u bë presidenti i parë i ShBA-së që përdori fjalën gjenocid për të përshkruar masakrën dhe dëbimin e armenëve të epokës së Luftës së Parë Botërore në ditët e fundit të Perandorisë Osmane.
Administratat e mëparshme të SHBA-së e kanë shmangur përdorimin e termit gjenocid.
Erdogan tha se qëndrimi turk për këtë çështje është se ajo duhet t’u lihet historianëve dhe jo politikanëve.
Për disa vite me rradhë Turqia është zotuar se do të hapë arkivat e saj për të adresuar çështjen.
Gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, turqit otomanë vranë ose dënuan deri në 1.5 milionë armenë – një minoritet i krishterë në perandorinë me shumicë myslimane. Shumë historianë dhe shtete të tjera, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e konsiderojnë vrasjen e armenëve si gjenocid./ REL/