Erdogan diskuton me Putinin për operacionin turk në Afrin
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka diskutuar përmes telefonit me presidentin rus, Vladimir Putin, për operacionin e Turqisë në veriperëndim të Sirisë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu.
Erdogan ka telefonuar Putinin më 23 janar, pasi ka folur paraprakisht me presidentin francez, Emmanuel Macron, ka shtuar kjo agjenci.
Kremlini ka thënë se Putin ka diskutuar operacionin e Turqisë në rajonin Afrin të Sirisë me presidentin turk Erdogan duke thënë se integriteti dhe sovraniteti i Sirisë duhen respektuar.
Kremlini po ashtu ka thënë, se Putin dhe Erdogan kanë diskutuar përgatitjet e fundit për bisedimet për paqe në Siri, në të cilët Rusia është nikoqire dhe i pret anëtarët e tjerë në Soçi gjatë javës së ardhshme.
Reutes ka cituar një zyrtar nga Shtetet e Bashkuara të ketë thënë, se presidenti amerikan, Donald Trump pritet të bisedojë me Erdoganin “shumë shpejt” për të shprehur shqetësimet e tij për këtë hap.
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Ankarasë të shfaqë vetëpërmbajtje, pasi ushtria turke ka goditur milicinë kurde.
Kjo e fundit ka ndihmuar Shtetet e Bashkuara për t’i luftuar militantët e grupit Shteti Islamik.
Në të njëjtën kohë, ushtria turke përmes një deklarateje ka thënë më 23 janar se të paktën 260 luftëtarë kurdë të Sirisë dhe militantë të Shtetit Islamik janë vrarë në operacionin e tyre në rajonin Afrin të Sirisë.
Po ashtu është njoftuar se intervenimi i ushtrisë turke në këtë zonë është duke vazhduar siç është planifikuar.
Njësitet për Mbrojtjen e Popullit, (YPG), është alet kyç i Shteteve të Bashkuara kundër Shtetit Islamik dhe ka luajtur një rol të madh për t’i larguar ekstremistët nga veriu dhe lindja e Sirisë.
Ushtria amerikane ka bazat e tij në territorin e kontrolluar nga kurdët në veri të Sirisë, mirëpo jo afër rajonit Afrin.