Erdogan: Fituan ata që gënjyen, të mësojmë nga gabimet tona

01 prill 2019 | 23:43

Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, po përballet me një disfatë politike pasi partia e tij humbi kontrollin e kryeqytetit, Ankara, në zgjedhjet lokale të së dielës.

Rezultatet paraprake tregojnë edhe se opozita kryeson ndaj partisë drejtësi dhe zhvillim të Erdogan, në Stamboll, qytetin më të madh të vendit. Në Ankara, partia republikane e popullit mori më shumë se 50 për qind të votave, me AKP e Erdogan në 47 përqind, transmeton “TCh”.

Kjo është hera e parë në 25 vite që partia islamiste humbet kontrollin e kryeqytetit. Në Stamboll, sipas agjencisë turke të lajmeve “Anadolia”, opozita ka marrë 48.79 për qind të votave ndërsa AKP 48.51 për qind. Erdogan madje ka humbur edhe qytetin e tretë më të madh të vendit, atë të Izmirit, si edhe Antalian, Adanan etj.

Pavarësisht rezultateve të pakënaqshme në dy qytetet kryesore, në shkallë vendi, AKP e presidentit, në aleancë me lëvizjen nacionaliste MHP, ka marrë 51.63 për qind të votave ndërsa opozita 37.55 për qind.

Erdogan, që i kishte cilësuar zgjedhjet e së dielës, një çështje mbijetese kombëtare tha në një fjalim para mbështetësve të hënën, se do të përveshë mëngët për të korrigjuar gabimet.

“Njerëzit që bënë premtime të rreme, le të vazhdojnë. Ne do të shohim se si do të qeverisin ata. Ne do të vazhdojmë në rrugën tonë duke mësuar nga gabimet e bëra në këto zgjedhje”, tha Erdogan.

Rezultati në Stamboll ka rëndësi të veçantë pasi Erdogan e ka nisur atje karrierën e tij politike, si kryebashkiak në vitet 90. Veç të tjerash atje ai kandidoi me një emër të rëndësishëm, atë të ish kryeministrit Benali Yildirim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arsenali ka mposhtur 2-0 Newcastle Unitedin në xhiron e 32-të…