Erdogan kërkon nga Edi Rama “pastrimin e mbetjeve të FETO-s”

20 shkurt 2024 | 21:14

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, nga konferenca e përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar sërish “pastrimin e mbetjeve të FETO-s”.

Nga Ankaraja pas firmosjes së disa marrëveshjeve të rëndësishme mes dy vendeve, Erdogan u shpreh se “mbetjet e FETO-s” vijojnë të hedhin “hije mbi marrëdhëniet tona”.

Gjithsesi Erdogan theksoi se është shumë i kënaqur që e mirëpret Ramën në Ankara, në rastin e mbledhjes së parë të Këshillit të Bashkëpunimit.

“Vitin e kaluar festuam 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Bashkëpunimi vijon”, tha presidenti turk.

Sipas tij, në këtë mbledhje të parë u konfirmua vendosmëria për të ngritur në një nivel më të lartë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Erdogan e vendosi theksin te bashkëpunimi ekonomik, ku shprehu bindjen se volumi tregtar synon të arrijë shifrën e 2 miliardë dollarëve.

Presidenti turk solli në vëmendje se në janar të vitit 2021 dha lajmin që do ndërtonte një një spital në Shqipëri.

“Vendosëm bast me zotin Rama. Ne e mbajtëm fjalën dhe e ndërtua për 2 muaj. Do ta menaxhojmë bashkë këtë spital”, tha Erdogan.

Për Ramën, basti ishte jo me të por i Erdogan me popullin shqiptar.

Rama tha se janë tre momente që Turqia e ka bërë të paharrueshme praninë në Shqipëri.

Në fjalën e tij, ai kujtoi ndihmën e dhënë nga Turqia për të kaluar tërmetin, coronavirusin, si dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës në kohë rekord.

Më tej, Rama foli edhe për rritjen me 30% të numrit të vizitorëve turq në Shqipëri, ku me batutë i kërkoi kreut të qeverisë turke që të mos mërzitej për një fakt të tillë.

Marrëveshjet e firmosura

Dy kabinetet qeveritare – turke dhe shqiptare – kanë firmosur këtë të martë të 20 shkurtit 6 projekte memorandumi mirëkuptimi.

Kështu, u firmos memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve -Klimatike të Republikës së Turqisë për bashkëpunim ne fushën e mjedisit.

Projekt memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve të Republikës së Turqisë për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zonave të mbrojtura.

Projektmarrëveshje ndërmjet KM të RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë mbi statusin e zyrës së koordinimit të programit TIKA Tirana.

Projektmarrëveshje kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Projekt memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë në Fushat e Medies dhe Komunikimit.

Protokoll Bashkëpunimi midis Korporatës Turke të Radiotelevizionit dhe Radiotelevizionit Shqiptar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident trafiku ka ndodhur në magjistralen Gjilan-Prishtinë, konkretisht në…