Erdoğan: Njohja nga Rusia e rajoneve të shkëputura të Ukrainës, e papranueshme
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se njohja e rajoneve të shkëputura në Ukrainën lindore nga ana e Rusisë është e papranueshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur nga Afrika ku qëndron në një turne ku do vizitojë tre vende, presidenti Erdoğan u bëri thirrje gjithashtu palëve që të udhëhiqen nga mendja e shëndoshë dhe ligjit ndërkombëtar në vazhdën e lëvizjeve të fundit të Rusisë, duke përfshirë dërgimin e trupave në Ukrainën lindore.
Presidenti turk u shpreh se duke qenë se Turqia është një vend me dalje në Detin e Zi, nevojiten shumë masa për situatën në Ukrainë e cila gjithashtu është një vend me dalje në Detin e Zi, duke shtuar se tashmë po merren masa të tilla.
Erdoğan shtoi se për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës, Turqia është gjithashtu e gatshme të marrë pjesë në një samit të përbashkët të Këshillit të Sigurimit të OKB-së së bashku me Gjermaninë, siç propozohet nga Ukraina, nëse vendet e tjera bien dakord.
Duke folur rreth vizitës në Turqi të presidentit izraelit që pritet të ndodhë muajin e ardhshëm, ai tha: “Ne i kushtojmë rëndësi vizitës së Isaac Herzog në Turqi, e cila mund të çojë në zhvillime në fusha të tjera”.
Vizita shihet si një shenjë e një debllokimi të mundshëm të marrëdhënieve turko-izraelite.
Sa u përket lidhjeve të Turqisë me Arabinë Saudite, Erdoğan tha: “Turqia dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Arabinë Saudite, ne duam dialog pozitiv dhe përmirësimin e lidhjeve përmes hapave konkretë”.
Vendimi i Rusisë
Në një fjalim mbrëmë vonë, Putin njoftoi njohjen e rajoneve separatiste Luhansk dhe Donetsk, duke sulmuar gjithashtu qeverinë e Ukrainës dhe duke akuzuar Perëndimin për injorimin e shqetësimeve thelbësore të sigurisë së Moskës.
Më vonë, ai urdhëroi vendosjen e trupave ruse për të “ruajtur paqen” në rajonet e shkëputura.
Lëvizjet e Putinit janë dënuar gjerësisht si shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare dhe vendet perëndimore janë zotuar për sanksione të reja të ashpra.
SHBA-ja dhe aleatët e saj evropianë kanë thënë se Rusia po përgatit skenën për të pushtuar Ukrainën duke grumbulluar mbi 100.000 trupa dhe pajisje të rënda brenda dhe përreth fqinjit të saj.
Rusia ka mohuar se po përgatitet për të pushtuar Ukrainën dhe në vend të kësaj ka akuzuar vendet perëndimore për kërcënimin e sigurisë së saj përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve rusë.
Në vitin 2014, Moska filloi të mbështesë forcat separatiste në Ukrainën lindore kundër qeverisë qendrore. Sipas OKB-së, konflikti ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 13.000 personave.