
Erdogan reagon pas arrestimit të Imamoglu: Opozitë hipokrite, nuk humbasim kohë me ju
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka reaguar për herë të parë pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu.
Sipas Erdogan, përpjekjet e opozitës për të portretizuar konfliktet e saj të brendshme, apo problemet e saj me ligjin, si çështjen më të rëndësishme të vendit, janë “kulmi i hipokrizisë”.
Këto komente i ka bërë ai, pasi kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, një figurë e shquar e opozitës dhe rivali i tij kryesor, u arrestua të mërkurën me akuza përfshirë korrupsionin dhe ndihmën ndaj terrorizmit.
Arrestim ky, i cili shkaktoi edhe protesta të shumta në mbarë Turqinë. Duket megjithatë se Erdogan nuk është i shqetësuar prej tyre.
“Nuk kemi kohë për shfaqje opozitare, as në nivel personal, as në nivel partiak apo aleance”, shtoi ai.
“Media dhe partia opozitare nuk janë në gjendje t’i përgjigjen akuzave të bëra nga drejtësia, si për çështjen e diplomës, ashtu edhe për çështjen e korrupsionit”, vijoi Erdogan, duke iu referuar akuzave ndaj Imamoglu-së dhe faktit se një ditë para arrestimit, Universiteti i Stambollit kishte anuluar certifikatën e diplomës së kryetarit të Stambollit, duke e konsideruar atë të rreme.