Erdogan refuzon dorëheqjen e ministrit Soylu: Përpjeket e tij kundër Covid-19 të suksesshme
Incidentet para aplikimit të orës policore në fundjavë bindën ministrin turk të Punëve të Brendshme, Sylejman Sojlu, të kërkojë tërheqjen nga posti. Por presidenti i vendit, Erdogan, e ka refuzuar, duke e vlerësuar përpjekjet e tij kundër pandemisë.
Presidenti i Turqisë e ka refuzuar dorëheqjen e ministrit të brendshëm pas incidenteve që krijoi shtetrrethimi i vendit në fundjavë nga pandemia.
Ministri Sulejman Sojlu, i cili drejton dikasterin e mbrojtjes që prej vitit 2016, tha të dielën se ai mbante përgjegjësi për skenat që krijoi urdhri i papritur për të izoluar provincat turke për dy ditë.
Vendimi i qeverisë krijoi panik mbrëmjen e së premtes në qytetet si Stambolli, Ankaraja dhe Izmiri.
Qytetarët vërshuan drejt dyqaneve për furnizime, shpeshherë në shkelje të rregullave të distancimit social që po aplikohen në mbarë vendin për mospërhapjen e koronavirusit.
“Ministri ynë i Brendshëm do të vijojë detyrat. Përpjekjet e tij mbi njëmujore ndaj epidemisë kanë qenë të suksesshme ndërsa nismat e tij kanë pasur rol vendimtar në uljen e aftësisë së organizatave terroriste për të kryer sulme,” njoftoi zyra e kreut të shtetit, Rexhep Taip Erdogan, për ministrin Sojlu.
Një ditë më parë, Turqia raportoi se 97 persona humbën betejën nga koronavirusi, duke e çuar totalin e viktimave në 1,200, ndërkohë që mbi 57 mijë të tjerë kanë rezultuar bartës të infeksionit.
Gjendja e jashtëzakonshme dyditore në 31 provincat e vendit u respektua në shumicë nga gati 63 milionë qytetarët, mbi 18 mijë veta u penalizuan për thyerje të urdhrit ndërsa qendrat kryesore u boshatisën.
“Nuk e kam parë asnjëherë Sheshin Kizilaj kaq të qetë.”
“Është hera e parë që shoh një gjë të tillë. Kurrë nuk ka qenë qyteti kaq bosh,” u shprehën disa banorë të kryeqytetit.
Qeveria turke vijon të kufizojë lëvizjet e personave nën moshën 20 dhe mbi 65 vjeç, ndërsa shkollat, qendrat tregtare, baret, restorantet do të qëndrojnë mbyllur deri në një vendim të dytë.
/Ora News.tv/