Erdogan tërhiqet nga vendimi që 10 ambasadorë të shpallen “non grata”
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, ka tërhequr deklaratën e tij për shpalljen non-grata të 10 ambasadorëve përfshirë edhe atë të SHBA-ve, të cilët I dolën në mbështetje një lideri të burgosur të shoqërisë civile.
Erdogan tha gjatë fundjavës se kishte urdhëruar që të dërguarit të shpalleshin persona non grata për kërkimin e lirimit të filantropistit të shquar Osman Kavala, 64 vjeç, i arrestuar për katër vjet me akuzën e financimit të protestave dhe përfshirjes në një përpjekje për grusht shteti, shkruan AP.
Ai foli pasi Shtetet e Bashkuara dhe disa nga vendet e tjera lëshuan deklarata identike duke thënë se ata respektonin një konventë të OKB-së që kërkonte që diplomatët të mos ndërhynin në punët e brendshme të vendit pritës.
Erdogan tha se deklarata e re “tregon se ata kanë bërë një hap prapa nga shpifjet kundër vendit tonë”, duke shtuar: “Ata do të jenë më të kujdesshëm tani”.
Të dërguarit nga Kanadaja, Danimarka, Franca, Gjermania, Holanda, Norvegjia, Suedia, Finlanda, Zelanda e Re dhe SHBA bënë thirrje javën e kaluar për një zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë të çështjes së Kavalës dhe për “lirimin e tij urgjent”.
Të 10 ambasadorët përfaqësojnë aleatët e NATO-s, partnerët tregtarë dhe anëtarët e Bashkimit Evropian.
Ankaraja është një vend kandidat për në BE, por bisedimet e anëtarësimit kanë qenë praktikisht të ngrira prej vitesh.