Erdogan thotë se Turqia ka kapur 80 “gylenistë”
Turqia ka arritur të rikthejë 80 pjesëtarë të asaj që e konsideron organizatë terroriste FETO, të cilët kanë qëndruar jashtë vendit.
Kështu ka deklaruar presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në një fjalim në mbledhjen e zakonshme të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Stamboll, raporton “Anadolu Agency”.
“Do t’i ndjekim edhe tjerët”, ka deklaruar Erdogan, duke shprehur bindjen për sjelljen në Turqi edhe të liderit të kësaj organizate, Fetullah Gylen.
“Ti, që aktualisht ndodhesh në Pennsylvania, do të vish gjithashtu”, shtoi më tej presidenti turk.
Javën e kaluar, zyrtarët e inteligjencës turke, sollën në Turqi tre pjesëtarë të lartë të FETO-s nga Gaboni i Afrikës, ndërsa gjatë muajit mars, nga Kosova në Turqi u dërguan edhe gjashtë pjesëtarë të lartë të FETO-s, të cilat u kapën pas një operacioni të Agjencisë Kombëtare Turke të Inteligjencës (MIT) në bashkëpunim me inteligjencën kosovare, raporton “AA”.