Erdogani bisedon me Abbasin për konfliktin në Gazë
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e priti në një takim liderin palestinez Mahamoud Abbas, për të biseduar për konfliktin në Rripin e Gazës, tha Presidenca turke.
Zyra e Erdoganit tha të mërkurën vonë se dy liderët biseduan për “masakrat që po i kryen Izraeli në territoret palestineze” dhe për “hapat që duhet të ndërmerren për një armëpushim të përhershëm dhe për paqe”.
Sipas komunikatës, Erdogani u zotua për ta vazhduar mbështetjen për “kauzën e drejtë të Palestinës” dhe për të punuar për “rritjen e trysnisë së bashkësisë ndërkombëtare ndaj Izraelit… posaçërisht nga bota islamike” për dërgimin e ndihmave humanitare dhe për sigurimin e paqes.
Abbas mbërriti në Ankara të mërkurën për një vizitë, e cila po ndodh në një kohë kur Irani ka kërcënuar se do të hakmerret kundër Izraelit për vrasjen në Teheran të Ismail Haniyeh – liderit politik të Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Kërcënimi i Iranit i ka rritur druajtjet për përhapjen e luftës në gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.
Erdogan, një mbështetës i madh i Hamasit dhe i kauzës palestineze, e ftoi Abbasin pasi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e mbajti një fjalim në Kongresin amerikan në korrik. Lideri palestinez pritet të mbajë fjalim në një seancë speciale në Parlamentin e Turqisë të enjten.
Për dallim nga vendet perëndimore, Erdogani e ka lavdëruar Hamasin, duke e quajtur atë lëvizje çlirimtare. Ai madje e ka mirëpritur Haniyehun disa herë në Turqi.
Abbasi, i cili jeton në Ramallah në Bregun e okupuar Perëndimor, është president i Autoritetit Palestinez, i cili është lënë mënjanë prej se nisi lufta në Gazë, kur militantët e Hamasit e sulmuan Izraelin në jug në tetor, duke i vrarë 1.200 njerëz dhe rrëmbyer rreth 250 të tjerë.
Përveç mbështetës i Hamasit, Erdogani ka qenë edhe ndër kritikët më të mëdhenj të operacioneve të ushtrisë izraelite në Gazë, duke e akuzuar Qeverinë izraelite për kryerjen e gjenocidit dhe duke e krahasuar Netanyahun me Adolf Hitlerin.
Vrasja e Haniyehut më 31 korrik në Iran nga një sulm i supozuar izraelit, e cila ndodhi pak pasi një komandant i lartë i Hezbollahut u vra në Liban, i ka përshkallëzuar tensionet rajonale, dhe frikën se Irani do të përgjigjet.
Pak para mbërritjes së Abbasit në Turqi, ambasadori amerikan në Turqi, Jeffry Flake, tha se Uashingtoni po e kërkon ndihmën e Turqisë dhe qeverive të tjera mike të Teheranit, për shtensionimin e situatës./ REL/