Erdogani i bën thirrje Putinit të mos i përshkallëzojë tensionet në Ukrainë
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i ka bërë thirrje homologut të vet rus, Vladimir Putin, të mërkurën, të mos i përshkallëzojë më shumë tensionet, pasi Moska i ka sulmuar me dronë objektet jetike për eksportimin e drithërave nga Ukraina.
Erdogani ka luajtur rol kyç në ndërmjetësimin e marrëveshjes tashmë të prishur për eksportimin e sigurt të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi, dhe e ka pozicionuar veten si ndërmjetësues në konflikt.
Lideri turk ka thënë se “nuk duhet të merret asnjë hap i cili do t’i përshkallëzonte tensionet në luftën Rusi-Ukrainë”.
Ai ka nënvizuar rëndësinë e marrëveshjes së drithërave, të cilën e ka quajtur “ura për paqe”, është thënë në një komunikatë për media të Presidencës turke.
Marrëveshja kishte për qëllim ta zbuste krizën globale të ushqimit duke i lejuar drithërat ukrainase të eksportoheshin në mënyrë të sigurt.
Ujdia, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, ia mundësonte Ukrainës të eksportojë drithëra përmes porteve të saj në Detin e Zi, por përfundoi muajin e kaluar kur Moska u tërhoq nga ajo.
Sulmet ruse me dronë i kanë dëmtuar objektet e drithërave në portet e Ukrainës, Odesa dhe Izmail, gjatë natës, thanë autoritetet ukrainase më 2 gusht.
Si pasojë e sulmeve ruse, një depo drithi, silose drithi dhe magazina tjera drithi u dëmtuan apo shkatërruan, thanë prokurorët ukrainas.
Erdogani i ka thënë Putinit se pasiviteti afatgjatë i marrëveshjes së drithërave “nuk do t’i bëjë dobi askujt”, dhe se vendet në nevojë do të vuanin më së shumti, sipas Presidencës turke. Erdogani tha, gjithashtu, se çmimet e drithërave që ranë për 23 për qind sa ishte në fuqi marrëveshja, u rritën për 15 për qind gjatë dy javëve të fundit. Ai është zotuar se Turqia do t’i vazhdojë me këmbëngulje “përpjekjet intensive” dhe diplomatike për ta kthyer në fuqi marrëveshjen.
Dy liderët po ashtu janë pajtuar për një vizitë të Putinit në Turqi, sipas zyrës së Erdoganit, e cila nuk ka treguar ndonjë datë të caktuar, megjithatë.