Erdogani i kërkon Kurtit ta rishikojë çështjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem

25 mars 2021 | 11:21

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të rishikojë çështjen e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem të Izraelit.

Në letrën e urimit, të cilën Erdogan i ka dërguar Kurti me rastin e zgjedhjes së tij si kryeministër, presidenti turk ka shprehur shqetësimin për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Turqia, si gjithmonë, edhe në periudhën e ardhshme, do të solidarizohet në çdo fushë me popullin vëlla të Kosovës. Nga ana tjetër, pasi që e di se edhe ju keni, gjithashtu, shqetësime në lidhje me çështjen e Ambasadës së Kosovës, hapja e së cilës është njoftuar se është bërë në Jerusalem, mendoj se do të ishte e dobishme për Qeverinë tuaj të rishikonte këtë çështje brenda kornizës së rezolutave përkatëse të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare. Me këtë rast, përsëris urimet e mia më të mira dhe lumturinë tuaj, si dhe prosperitetin dhe mirëqenien e popullit mik dhe vëlla të Kosovës”, është thënë në letër.

Erdogan në letër, po ashtu, ka thënë se përfshirja e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) në Qeverinë Kurti, parti kjo që ka fituar dy mandatet e rezervuara për komunitetin turk në Kuvendin e Kosovës, është një tregues se Kurti u kushton vëmendje prioriteteve dhe pritjeve të komunitetit turk.

Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, kanë zyrtarizuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Kosova zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem më 14 mars.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në 11-vjetorin e vdekjes përkujton…