Erdogani i quan ngjarjet në ShBA ‘turp për demokracinë’
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka thënë se sulmi në Kongresin amerikan nga mbështetësit e presidentit aktual, Donald Trump është një turp që ka “tronditur njerëzimin”.
Erdogani, i cili ka një miqësi me presidentin Trump, kishte pritur tre ditë para se ta uronte Joe Bidenin për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Por, ai nuk ka hezituar që të dënojë ngjarjet e dhunshme të së mërkurës që sipas tij ndodhën në “të ashtuquajturin djep të demokracisë”.
“Ky është turp për demokracinë. Shpresojmë që tranzicioni (i pushtetit) te Biden në 20 janar të jetë paqësor dhe se paqja do të kthehet në Amerikë”, u ka thënë Erdogani gazetarëve të premten në Stamboll.
Marrëdhëniet e Ankarasë me Uashingtonin janë përkeqësuar pas grushtshtetit e dështuar më 2016, për të cilin Erdogani e fajëson një klerikun fetar Fetullah Gulen, që gjendet në ShBA. Uashingtoni ka refuzuar thirrjet e Ankarasë për ekstradimin e Gulenit.
Megjithatë, miqësia e Erdoganit dhe Trumpit ka ndihmuar që Turqia të mos jetë subjekt i sanksioneve amerikane, për shkak të përkeqësimit të të drejtave të njeriut.