Erdogani: Izraeli është shteti më racist në botë
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, e ka cilësuar Izraelin si shtetin më racist në botë.
Ai ka thënë se shpirti i Adolf Hitlerit është “ringjallur”, pasi Izraeli ka miratuar një ligj ku thuhet se ky shtet është atdhe i veçantë për popullin hebre.
“Nuk ka asnjë dallim në mes të obsesionit të Hitlerit me racën arjane dhe këndvështrimit të lidershipit të Izraelit se kjo tokë e lashtë u takon vetëm hebrenjve”, është shprehur Erdogani, raporton “DPA”.
“Shpirti i Hitlerit, i cili çoi botën në një katastrofë, është ringjallur në mesin e disa autoriteteve izraelite”, ka thënë presidenti i Turqisë.
Ligji i ri i miratuar nga Izraeli “shpërfaq qëllimin e vërtetë të këtij shteti”, ka thënë Erdogani.
Komentet e presidentit turk janë të parat që prej se Izraeli ka miratuar ligjin javën e kaluar.
Lidhur me këto komente ka reaguar kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Fakti që një ‘demokrat’ i madh si Erdogani sulmon ligjin për komb, është komplimenti më i madh që i bëhet këtij ligji. Turqia, nën sundimin e Erdoganit është bërë një diktaturë e errët, ndërsa Izraeli ruan të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët”, ka thënë kryeministri izraelit përmes një deklarate.