Erdogani: Kanali i Stambollit hap ‘faqe të re’ në zhvillimin e Turqisë
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në ceremoninë inauguruese të projektit për kanalin e ri të Stambollit, ka thënë se ky projekt do të hap një faqe të re në historinë e zhvillimit të Turqisë.
Erdogani ka thënë se ky kanal është i nevojshëm për sigurinë e Stambollit pasi trafiku në rritje i anijeve po bën që të jetë një nga rrugët detare më të ngarkuara në botë, shkruan “TRT World”.
Sot numri i anijeve që kalojnë çdo vit nëpër ngushticën e Bosforit nga viti 1930 është rritur nga 3 mijë në 45 mijë. Ndërsa parashikohet që në vitin 2050 të udhëtojnë deri në 78 mijë anije. Erdogani ka promovuar projektin, duke ofruar një rrugë alternative që lidh Detin e Marmarasë me Detin e Zi.
“Ne e konsiderojmë ‘Kanalin e Stambollit’ një projekt për të shpëtuar të ardhmen e Stambollit”, ka thënë ai.
Kanali që do të ndërtohet në anën evropiane të metropolit turk do të jetë rreth 45 kilometra i gjatë, 275 metra i gjerë dhe 20.75 metra i thellë. Pas një procesi tenderimi, projekti pritet të përfundojë në gjashtë vjet, me rreth një vit e gjysmë punë përgatitore dhe pesë vjet e gjysmë të ndërtimit, ku do të ndërtohen gjashtë ura.
Megaprojekti, i destinuar për të parandaluar rreziqet e paraqitura nga anijet që transportojnë dërgesa të rrezikshme përmes ngushticës së Bosforit, u miratua nga Ministria e Mjedisit dhe Urbanizimit të vendit.