Erdogani kërkon nga turqit t’i shesin eurot dhe dollarët
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka kritikuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për kërcënime ndaj shtetit turk, pasi presidenti Donald Trump ka dyfishuar tarifat ndaj importeve turke.
Duke folur të dielën para përkrahësve të tij, në qytetin Unij, Erdogani ka thënë se është për të ardhur keq që ShBA-ja zgjedh para Ankarasë, aleatit të tyre strategjik në NATO, pastorin Andrew Brunson, ndaj të cilit Turqia ka hapur proces gjyqësor nën akuzat për terrorizëm.
Ai ka përsëritur një thirrje të mëparshme ndaj popullit turk, që të japë ndihmën e tij, që lira turke e zhvlerësuar të fitojë, siç është shprehur, “luftën e pavarësisë”.
ShBA dhe Turqia kanë pasur marrëdhënie të tensionuara kohët e fundit lidhur me disa çështje, si Siria, ambicia e Turqisë për të blerë sisteme të mbrojtjes nga Rusia dhe rasti i pastorit amerikan, të ndaluar në Turqi.