Erdogani kërkon njohjen e Jerusalemit si kryeqytet palestinez
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u ka bërë thirrje vendeve nga e gjithë bota, që ta njohin “Jerusalemin e okupuar si kryeqytet të Palestinës”, në përgjigje të njohjes së këtij qyteti të ndarë nga Shtetet e Bashkuara, si kryeqytet të Izraelit.
Duke e hapur samitin e Organizatës për bashkëpunim islamik (OIC) sot në Stamboll, Erdogan ka thënë se Jerusalemi është “vijë e kuqe” për myslimanët, të cilët nuk do të pranojnë çfarëdo agresioni kundër vendeve të shenjta islamike.
Ai po ashtu, e ka kritikuar ashpër Izraelin, duke e cilësuar si “shtet terrori”.
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, e ka përsëritur qëndrimin e tij se lëvizja e Shteteve të Bashkuara, e ka përfunduar rolin e Uashingtonit si ndërmjetësues i paqes në Lindjen e Mesme.