Erdogani në Beograd: Marrëdhëniet me Serbinë janë në kohë të artë

11 tetor 2024 | 14:03

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të premten në Beograd se marrëdhëniet në mes të Turqisë dhe Serbisë janë në “kohë të artë”.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë të përbashkët për media, me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se dy liderët kanë diskutuar për tema të rëndësishme gjeopolitike, si dhe për problemet me të cilat përballen dy vendet.

“Turqia dhe Serbia kanë marrëdhënie të mia ekonomike. Ne kemi trefishuar këmbimin tregtar, në krahasim me pak vjet më parë”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti serb ka thënë se është arritur pajtueshmëri për t’i përmirësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe atë ushtarake.

Erdogan është takuar me Vuçiqin në Beograd, në kuadër të vizitës së tij dyditore në Serbi.

Në ditën e mbërritjes së presidentit turk në Serbi, më 10 tetor, Qeveria e Serbisë i ka miratuar disa memorandume mirëkuptimi në mes të Serbisë dhe Turqisë, në fusha si punësimi, siguria sociale, ekonomia, industria dhe teknologjia, media dhe informacioni, rinia dhe sporti, dhe si menaxhimi i emergjencave.

Kjo është vizita e katërt e presidentit turk në Serbi, prej vitit 2017.

Para vizitës në Beograd, ai ka qenë në Tiranë, prej ku i ka premtuar Shqipërisë dhurimin e dronëve kamikazë dhe ka marrë pjesë në përurimin e një xhamie të ndërtuar me financim të Turqisë.

Në vizitën paraprake të Erdoganit në Beograd, në shtator të vitit 2022, Serbia ka thënë se dëshiron të blejë dronët Bayraktar, por blerja e tyre nuk është realizuar kurrë.

Atëbotë ishte arritur një protokoll që u ka mundësuar shtetasve të Serbisë dhe Turqisë që të udhëtojnë në dy vendet vetëm me letërnjoftime.

Turqia është e katërta në listën e shteteve prej ku ka importuar më së shumti Serbia më 2023.

Kompanitë turke janë prezente në Turqi në tekstil, ndërtimtari, industri mekanike, banka dhe turizëm.

Dy vendet kanë marrëdhënie të mira, por nuk pajtohen në çështjen e Kosovës.

Ankaraja e njeh pavarësinë e këtij shteti, ndërsa Serbia jo. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Problemet financiare të Barcelonës gjatë viteve të fundit kanë qenë…