Erdogani në Gjermani, synon përmirësimin e marrëdhënieve
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka nisur sot vizitën në Gjermani, me synimin për të ulur tensionet midis dy vendeve.
Udhëtimi, i cili zgjat deri të shtunën, vjen në kohën kur problemet ekonomike në Turqi po shkaktojnë shqetësime në rritje dhe kur Evropa ka nevojë për mbështetjen e Ankarasë në reduktimin e rrjedhës së emigrantëve.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Erdoganit në Gjermani, ku spektri politik e sheh me dyshime, raporton “Rel”.
Në mars të vitit të kaluar, Erdogani i ka krahasuar zyrtarët gjermanë me nazistët.
Ai i ka bërë këto komente pasi autoritetet gjermane i kanë anuluar tubimet, që ai ka planifikuar t’i mbajë për diasporën turke në Gjermani, në prag të një referendumi të rëndësishëm për pushtetin e tij.
Në një shkrim të publikuar të enjten në gazetën “FAZ”, Erdogani ka thënë se “është koha të lihen mënjanë dallimet në opinione dhe përqendrimi të jetë mbi interesat e përbashkët”.