Erdogani njofton për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme në Turqi
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka thënë se zgjedhjet në Turqi do të mbahen më 24 qershor, më shumë se një vit më herët se që ishin planifikuar fillimisht.
Ai ka thënë se shteti ka nevojë urgjente për kalim në presidencë ekzekutive.
Sipas tij një ndryshim i tillë është i domosdoshëm për të ardhmen e shtetit.
Erdogani ka njoftuar për këtë vendim pasi ka biseduar me udhëheqësin e partisë nacionaliste, MHP, Devlet Bahceli.
“Ndonëse presidenti dhe Qeveria janë duke punuar për harmonizim, sëmundja e sistemit të vjetër po na konfronton në çdo hap”, ka thënë Erdogan në një fjalim televiziv.
“Zhvillimet në Siri dhe vende tjera e kanë bërë urgjente që të ndryshojmë sistemin ekzekutiv në mënyrë që të marrin vendime për të ardhme më të fuqishme të shtetit tonë. Ne kemi diskutuar thirrjen e Bahcelit me autoritetet relevante. Ne kemi ardhur në përfundim se duhet t’i konsiderojmë pozitive zgjedhjet e reja”.
Vitin e kaluar Erdogani ka fituar një referendum për të ndryshuar kushtetutën dhe për krijimin e presidencës ekzekutive.
Sidoqoftë këto ndryshime nuk janë të zbatueshme deri në mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.
Zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale ishin caktuar fillimisht për nëntor të vitit të ardhshëm.