Erdogani nuk del në fushatë zgjedhore për të tretën ditë

28 prill 2023 | 16:45

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka anuluar paraqitjet e tij në fushatë për zgjedhje për të tretën ditë radhazi, pasi është sëmurë me atë që zyrtarët e kanë përshkruar si një infeksion intestinal.

Erdogani është duke kërkuar një mandat të tretë presidencial në zgjedhjet e 14 majit në Turqi. Ai duhej të shfaqej në një hapje ure dhe një tubim politik në qytetin jugor të Adanas, por orari i tij ka ndryshuar për të treguar se do të merrte pjesë në ceremoninë e hapjes përmes lidhjes video. Erdogani është sëmurë gjatë një interviste televizive të martën.

Tubimet e tij zgjedhore të planifikuara për të mërkurën dhe të enjten ishin anuluar. Ai dukej i zbehtë të enjten teksa ka inauguruar një termocentral bërthamor përmes videos në daljen e tij të parë publike që nga sëmundja.

Zyrtarë të tjerë janë përpjekur t’i largonin shqetësimet për shëndetin e udhëheqësit 69-vjeçar përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të muajit të ardhshëm. Sondazhet e fundit kanë treguar një epërsi të lehtë për sfiduesin kryesor të Erdoganit në mes të një rënieje ekonomike dhe një tërmeti që në shkurt kishte lënë të vdekur më shumë se 50 mijë njerëz.

Erdogani, i cili i është nënshtruar një operacioni në zorrë në vitin 2011, ka drejtuar Turqinë që nga viti 2003, fillimisht si kryeministër dhe si president që nga viti 2014. Ai ka bërë fushatë të fortë javët e fundit, duke marrë pjesë në disa ngjarje në të gjithë vendin çdo ditë, raporton “AlJazeera”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, e…