Erdogani pret në takim disa deputetë të Kuvendit të Kosovës
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka pritur në takim një grup të deputetëve nga Kosova.
Takimi është zhvilluar në Kuvendin e Turqisë, ka bërë me dije të mërkurën deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku.
Teksa e ka quajtur mik të madh të shqiptarëve, Lushtaku ka thënë se Erdogani i ka pritur ngrohtësisht në takim.
“Mikpritja, modestia, afërsia, janë disa nga tiparet që e karakterizojnë këtë lider të përmasave botërore. ‘Turqia do të vazhdojë të mbështesë popullin e Kosovës në të gjitha fushat’, ishin fjalët e tij”, ka shkruar Lushtaku në “Facebook”.
Lushtaku ka thënë se Turqia është partnere strategjike e cila ka mbështetur pa rezervë forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
“Në vazhdën e zhvillimeve të fundit, roli i presidentit Erdogan është shumë i rëndësishëm për garantimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, ka shkruar Lushtaku.