Erdogani: Sistemet ruse S-400 do të funksionalizohen në prillin e ardhshëm
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka përsëritur se Turqia planifikon funksionalizimin e sistemeve ruse për mbrojtje S-400 në muajin prill. “Në pranverën e ardhshme, me dëshirën e Zotit, në prill të vitit 2020 ne do të jemi në gjendje ta fillojmë funksionalizimin e këtij sistemi”, ka thënë Erdogan gjatë një takimi në Partinë e tij për Zhvillim dhe Drejtësi në Ankara.
Zyrtarët amerikanë dhe ata të NATO-s kanë kundërshtuar blerjen e sistemeve ruse nga ana e Turqisë, duke thënë se nuk është në përputhje me sistemet e aleancës ushtarake dhe do t’i rrezikojë aeroplanët e rinj F-35, që përdoren nga Perëndimi.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Rusia do të jetë në gjendje të përfitojë të dhëna të ndjeshme për aeroplanët F-35, nëse ata përdorën bashkë me sistemet ruse.
Rusia ka nisur dërgimin e sistemeve ruse në Turqi gjatë këtij muaji, derisa Uashingtoni është përgjigjur duke larguar Turqinë nga programi i tij i aeroplanëve F-35.
Erdogan, po ashtu, ka thënë se Turqia do të kërkojë diku tjetër aeroplanë luftarakë nëse Shtetet e Bashkuara nuk do t’i shesin aeroplanët F-35. “Asnjë kërcënim apo sanksione kundër Turqisë, sidomos kërcënimet se Turqia do të largohet nga projekti F-35, nuk do ta parandalojnë shtetin tonë që të ketë prioritete të sigurisë”, është shprehur ai.