Erdogani synon ofensivë në Lindje të Sirisë
Presidenti turk Erdogan synon ta zgjerojë ofensivën e trupave në Sirinë e veriut me qindra kilometra drejt Lindjes. Njëkohësisht ai ankohet për qëndrimin e SHBA.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyp Erdogan i ka vënë vetes synim t’i dëbojë ekstremistët nga i gjithë kordoni përgjatë kufirit me Sirinë. Turqia mund ta zgjerojë ofensivën e saj në veriperëndim të Sirisë në drejtim të Lindjes deri në kufirin me Irakun, tha ai në një veprimtari të partisë së tij AKP.
Fushata do të shtrihet prej pikërëndesës së tanishme përreth Afrinit, në qytetin kurd Manbixh deri në kufirin irakian, “deri sa të mos ketë mbetur asnjë terrorist”, tha Erdogani. Fjala është për 500 kilometra. Manbixhi kontrollohet nga milicia kurde-siriane SDF. Kjo nga ana e saj mbështetet nga SHBA për luftën e saj kundër milicisë terroriste “Shteti Islamik”.
Po të sulmohet Manbixhi, trupat turke do të ndesheshin me ushtarë amerikanë të stacionuar atje. Erdogani i kritikoi SHBA për mbështetjen që i japin SDF-së, krahu më efektiv i së cilës janë njësitë mbrojtëse kurde YPG. Në adresë të qeverisë së SHBA ai tha: “Si mund t’ia bëjë një partner strategjik këtë një partneri tjetër strategjik?” Qeveria turke e quan terroriste YPG për shkak të lidhjes së saj me partinë e ndaluar punëtore kurde PKK.
Planifikohet një zonë sigurie
Pavarësisht nga tensionet, SHBA dhe Turqia sipas të dhënave amerikane po zhvillojnë negociata për krijimin e një korridori sigurie në rajon. Sipas të dhënave turke, udhëheqja e SHBA ka propozuar një zonë sigurie prej 30 kilometrash përgjatë kufirit turko-sirian.
Ministri i Jashtëm Mevlüt Cavusoglu tha megjithatë se fillimisht duhet të rivendoset besimi midis të dyja vendeve. Nëse Turqia do të zhvillonte luftë kundër terrorizmit së bashku me SHBA, këtë ato do ta bënin ose së bashku ose “secili do të kujdesej për vete”.
SDF bëri të ditur se nga sulmi turk i nisur të shtunën e kaluar drejt enklavës së Afrimit, deri të premten qenë vrarë 59 civilë dhe 43 luftëtarë. 134 civilë janë plagosur. Ministri turk i Shëndetësisë bëri të ditur se nga pala turke janë vrarë 14 vetë: tre ushtarë turq dhe njëmbëdhjetë kryengritës sirianë të lidhur me Turqinë./DW