Erdogani takon kryeparlamentarin Xhaferi, flasin për marrëdhëniet dypalëshe
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka pritur në takim kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Ankara.
Takimi i zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur rreth 40 minuta.
Presidenti Erdogan ka ofruar përkrahjen e Turqisë për integrimin e Maqedonisë në NATO, si edhe qëndrimin parimor në drejtim të përdorimit të emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë.
Ai ka theksuar se Turqia është ndër shtetet e para që ka njohur Maqedoninë me emrin kushtetues dhe që ka hapur ambasadën në këtë vend.
Njëkohësisht presidenti turk ka folur edhe për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik, duke riafirmuar angazhimin që këmbimi vjetor tregtar ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë të rritet në një miliardë dollarë.
Ndërsa kryeparlamentari Talat Xhaferi ka shprehur kënaqësinë që Republika e Maqedonisë dhe ajo e Turqisë konfirmojnë miqësinë tradicionale dhe përforcojnë bashkëpunimin e suksesshëm shumëvjeçar.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, dje është takuar edhe me homologun turk, Ismail Kahraman.
/Epoka e re/