Erdogani do të mbajë tubim në Sarajevë
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan pritet të mbajë një tubim zgjedhor në Sarajevë para komunitetit turk në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Ky zhvillim vjen pasi disa shtete të Bashkimit Evropian kanë ndaluar mbajtjen e tubimeve të tilla.
Erdogani do të mbajë tubim në Sarajevë për zgjedhjet presidenciale e dhe parlamentare turke, që janë paraparë të mbahen më 24 qershor.
Tensionet mes Turqisë dhe BE-së u rritën vitin e kaluar, pasi shumë shtete ia ndaluan Qeverisë turke që të mbajë tubime për referendumin, që ia rriti fuqitë presidentit turk.
Mediet në Bosnjë kanë raportuar se rreth 20 mijë njerëz pritet të marrin pjesë në qendrën sportive Zetra, ku Erdogani do të mbajë tubimin.
Janë rreth 3 milionë turq që jetojnë në Evropë dhe që kanë të drejtë vote në zgjedhje. Shumica prej tyre, rreth 1.4 milion jetojnë në Gjermani.
Austria dhe Holanda kanë njoftuar se nuk do të lejojnë që tubime zgjedhore nga politikanët turk të mbahen në shtetet e tyre.
Megjithatë, Sarajeva ka marrëdhënie të ngushta me Ankaranë.
“Ne do t’i tregojmë se ai (Erdogani) ka miq që janë krenarë me të”, ka thënë lideri i myslimanëve të Bosnjës, Bakir Izetbegoviq.