Erdogani thotë se procesi i zgjedhjeve lokale në Turqi ishte demokratik
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka folur pas përfundimit të votimit në zgjedhjet lokale.
Ai ka thënë se Turqia zgjedhjet e 31 marsit i ka përfunduar brenda një pjekurie demokratike.
“Populli ynë edhe një herë ka reflektuar vullnetin e tij me një pjesëmarrje të lartë në zgjedhje”, është shprehur Erdogan.
Ai ka theksuar se “janë të parët (AKP)edhe si aleancë së bashku me Partinë Lëvizja Nacionaliste”.
“Lus Allahun që rezultatet e zgjedhjeve të jenë në të mirë të vendit tonë, popullit, qyteteve dhe lagjeve tona”, u shpreh ai.
Siç tha ai, partia që drejton, AKP-ja, ashtu si nga zgjedhjet e 3 nëntorit të vitit 2002 e deri më tani vazhdon të jetë partia e parë me diferencë të dukshme.
Erdogan ka thënë se zgjedhjet lokale të radhës në Turqi do të mbahen në qershor të vitit 2023.
“Do të vazhdojmë të punojmë për ta bërë vendin dhe rajonin tonë një ishull paqeje, veçanërisht pa i lejuar organizatat terroriste të lëvizin”, ka deklaruar Erdogan.
Në zgjedhjet lokale të së dielës, rreth 57 milionë votues kishin të drejtë ta hidhnin votën e tyre në 194.390 vendvotime.