Erdogani: Turqia nuk e njeh rezolutën për armenët
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka thënë se të mërkurën se Parlamenti turk do t’i përgjigjet një rezolute për gjenocidin armen të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve të ShBA-së, si dhe një propozim për vendosjen e sanksioneve ndaj Ankarasë zyrtare.
“Turqia nuk e njeh rezolutën, e cila nuk ka asnjë vlerë për Ankaranë”, ka thënë Erdogani.
Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan ka miratuar një rezolutë duke pranuar zyrtarisht se masakra e armenëve një shekull më parë nga Perandoria Osmane ishte një gjenocid, të cilin Turqia e ka dënuar me forcë.
Është miratuar gjithashtu një rezolutë që i bën thirrje presidentit Donald Trump të vendosë sanksione dhe kufizime të tjera për Turqinë dhe zyrtarët turq për shkak të ofensivës në veri të Sirisë.