Erdogani uron kandidatin e opozitës për fitoren e zgjedhjeve në Stamboll
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka uruar kandidatin e Partisë Republikane Popullore (CHP) në zgjedhjet për krybashkiak, Ekrem Imamoglu, i cili sipas rezultateve jozyrtare ka fituar zgjedhjet lokale të përsëritura në Stamboll.
“Shpresoj që rezultatet e zgjedhjeve të përsëritura për kryebashkiak të Stambollit të jenë në të mirë të Stambollit”, ka shkruar Erdogan në “Twitter”.
“Si më parë, edhe në të ardhmen nuk do të heqim dorë nga demokracia, sundimi i të drejtës, si dhe nga paqja, mirëqenia dhe stabiliteti i vendit tonë, ndërsa në kuadër të parimeve të Aleancës Popullore, së bashku ne do të hapërojmë drejt qëllimeve tona në vitin 2023”, ka deklaruar Erdogan.
Sipas rezultateve jozyrtare, nga 99,37 për qind e kutive të hapura, Imamoglu i CHP-së kryeson me 54,03 për qind të votave, ndërsa kandidati i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Binali Yıldırım, ka grumbulluar 45,04 për qind, raporton Anadolu Agency (AA).
Imamoglu dhe Yıldırım garuan në zgjedhjet lokale të përsëritura për të drejtuar qytetin më të populluar turk, pasi votimi i mëparshëm i 31 marsit u anulua nga Këshilli i Lartë Zgjedhor muajin e kaluar.