Erdogani: Vrasja e Al-Baghdadit, pikë kthese
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka thënë se vrasja e udhëheqësit të grupit militant Shteti Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, është një “pikë kthese” në luftën kundër terrorizmit.
“Vrasja e udhëheqësit të Daesh-it shënon një pikë kthese në luftën tonë të përbashkët kundër terrorizmit”, ka shkruar Erdogani në llogarinë e vet në “Twitter”, duke përdorur një emër tjetër për Shtetin Islamik.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar të dielën për vrasjen e Al-Baghdadit, në një sulm të forcave amerikane në fshatin Barisha të provincës Idlib, në veriperëndim të Sirisë.
Erdogani ka thënë se Turqia “do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet anti-terroriste, ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën”.
“Jam i sigurt se lufta vendimtare kundër terrorizmit, në përputhje me frymën e aleancës, do të sjellë paqe për gjithë njerëzimin”, ka thënë Erdogani, raporton “Rel”.
Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha se “ka pasur koordinim dhe shkëmbim të informacioneve” me Shtetet e Bashkuara, para operacionit për vrasjen e Al-Baghdadit.
Al-Baghdadi ka qenë një nga terroristët më të kërkuar në botë.
Në kulmin e fuqisë më 2014 dhe 2015, grupi Shteti Islamik ka kontrolluar një sipërfaqe prej 88,000 kilometrash katrorë që shtrihej nga Siria perëndimore në Irakun lindor.