ERË SHQIPËRIE

08 maj 2019 | 10:54

Sylejman Krasniqi

Mbresa nga tubimi përkujtimor në trevjetorin e ndarjes nga jeta të Shasivar Makollit-QALIT

Është bërë traditë që të përkujtohen datat me rëndësi të veçantë nga historia jonë shumë e bujshme. Përkujtohen ditët e betejave, të luftërave, të ngjarjeve me peshë, ditëlindjet e martirëve, të dëshmorëve, të heronjve. Përkujtohen edhe datat e rënieve heroike të tyre, por edhe të vdekjeve të natyrshme të veprimtarëve të çështjes kombëtare sepse edhe vdekjet natyrale të tyre e kanë peshën e njëjtë sikurse të vdekjeve në fronte të luftës. Edhe këta e kanë “ndjellë” vdekjen nëpër llogore apo edhe nëpër qytete, ku kanë vepruar pa iu trembur syri edhe në ditën me diell. Vdekja edhe mund t’i ketë “kursyer” këta idealistë, ndoshta, me qëllim që ta shijojnë lirinë për të cilën nuk kursyen asgjë nga vetvetja.

Një tubim përkujtimor u organizua edhe për veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare dhe për luftëtarin e lirisë, Shasivar Makollin-QALIN, nga Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 26 prill. Atë ditë, paradite, u bënë homazhe te varri i tij dhe u zbulua pllaka përkujtimore me simbolin të cilin e deshi dhe për të cilin kishte punuar dhe luftuar tërë jetën. Kurse pasdite u mbajt një tubim përkujtimor në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Në këtë akademi përkujtimore e morën fjalën shumë luftëtarë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, të cilët e njihnin nga afër dhe që kishin bashkëpunuar dhe bashkëluftuar me Shasivar Makollin. Me radhë e morën fjalën përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të shoqatave të ndryshme. Të gjithë ia njohën meritat e veprimtarisë të Shasivarit në organizim, në syçeltësi, në trimëri, në vendosmëri, në këmbëngulësi dhe në çdo lëmë që kishte për strumbullar çështjen shqiptare.

Në fund, në emër të familjarëve, të pranishmit në akademi i përshëndeti vajza e Shasivarit, Merita Makolli. Fjala e saj, të pranishmëve u solli shumë emocione. Shokëve të punës të Shasivarit, të pranishëm në sallën e teatrit, u rrodhën edhe lot nga sytë në faqe, prej fjalëve të Meritës. Sepse, Merita, e preku thelbin e karakterit të të atit, ashtu siç e njihnin shokët e punës për ato dyzet vjet sa kishin punuar bashkë në minierën e qymyrit në Bardh të Madh (ish-Bellaqevc). Brenda një fjalie ajo e tha, dhe e dha, natyrën dhe idealin e babait pa kurrfarë zbukurimi. Këtë ideal ai kurrë nuk e ndryshoi, por as nuk ia “përshtati” kohës. Thelbi i fjalës së Meritës ishte “kur babai u kthye nga Shqipëria për herën e parë ne, fëmijët e tij, iu merrnim erë rrobave të babait sepse atyre u vinte era Shqipëri dhe nuk ngopeshim me atë erë. Prandaj unë, këtu, në këtë sallë, uroj që brezat e ardhshëm, fëmijët tanë, të rriten me atë aromë të ëmbël që e kemi ndier ne në rrobat e babait tonë”. Kjo na bëri të përlotemi sepse, jemi të sigurt që Shasivari e dha porosinë nëpërmjet gojës së vajzës së vet, Meritës, për ne dhe për brezat që vijnë. Kjo na ktheu për dyzet vjet prapa kur më 1 shtator 1980 shkuam për vizitë dyjavore në Shqipëri 30 punëtorë nga miniera e qymyrit e Bellaqevcit me nismën dhe organizimin e Shasivar Makollit. Ishte një ekskursion i cili na la përshtypje të jashtëzakonshme dhe e cila nuk mund të harrohet kurrë. Ato ditë ëndrrat tona u bënë realitet sepse kishim arritur ta vizitonim nënën Shqipëri. Dhe nuk lamë krahinë, qytet, muze, shtëpi muze, fabrikë, uzinë pa e vizituar. Emocione të veçanta patëm kur u ndalëm tek përmendorja e heroinës së punës, Shkurte Pal Vata, në hekurudhën Rrogozhinë – Fier. Kurrë nuk do t’i harrojmë fjalët që na i tha Shasivari pasi bëmë fotografi te përmendorja e Shkurte Pal Vatës. “Kur do të punojmë edhe ne, në Kosovë, për vete? Edhe ne jemi punëtorë të vyeshëm. Tani që e kemi edhe shembullin e Shkurte Pal Vatës, të Ismet Sali Bruçajt dhe të Adem Rekës. Edhe te ne punohet shumë dhe ka sakrifica të mëdha në punë, por mundi ynë shkon në Serbi dhe në pjesët e tjera të Jugosllavisë”. Pse edhe tek ne mos të ketë hero të punës, thoshte shpesh Shasivari, kur edhe ne po ngrehim fabrika, uzina dhe kombinate të mëdha. Të gjitha këto po i ngrehim me duart tona, me djersën tonë, me shpatullat tona. Por do të vijë edhe ajo kohë… Një ditë, në bisedë e sipër mes kolegëve të punës, Shasivari u tregonte shokëve se si e kishim kaluar në Shqipëri, një koleg serb i thotë Qalit “…pasi po iu pëlqen aq shumë Shqipëria, pse nuk po shkoni të jetoni atje?” E Qali, si gjithherë që përgjigjen e kishte në majë të gjuhës, ia ktheu: “Po ne në Shqipëri jemi. A nuk po ndien erën e saj? Po ti nuk ke faj, se nuk i ke në rregull shqisat e të nuhaturit”. Kolegu serb u vërejt në fytyrë dhe nuk bëzajti më. Dhe kishte të drejtë Shasivari sepse atëherë minierës së qymyrit në Bellaqevc i thoshin herë “Shqipëri e vogël” e herë “miniera shqiptare”.

Në foto: Obelisku i heroinës së punës socialiste, Shkurte Pal Vata, në trasenë e hekurudhës Rrogozhinë – Fier. Fotografuar më 5 shtator 1980. Ulur, me grushtin lart, Shasivar Makolli; në këmbë, anash, vëllezërit Ibrahim dhe Ismail Maxhera nga Bellaqevci, në mes Ramiz Shehu nga Tirana, ish-drejtor i “Albturistit” në vitet e ’80-ta.

 

Pas disa kohe inspektori federativ i sigurimit, Lutfi Ajazi, shumë herë e thirri në biseda informative Shasivarin për vizitën në Shqipëri duke e këshilluar që të mos fliste shumë për atë ekskursion sepse e dëmtonte veten dhe rrethin. Rrallëherë fliste për torturat psikike që i kishte pasur nga inspektori për organizimin e ekskursionit, për takimin me Sokrat Plakën dhe Ilia Robjën në Ambasadën e Shqipërisë dhe për pyetje dhe provokime të tjera. Ai prej natyre ka qenë veprues, por i heshtur.

Një nga shokët, në dalje të sallës së teatrit, pyeti me kureshtje se nga i ranë ndërmend këto fjali Meritës në këto momente? Po tradita në familje e bën veten, ia ktheu shoku tjetër. Ne e kemi dëgjuar disa herë se breza të tërë të makollëve e kanë ruajtur brezin kufitar që nga Çuka e Drazhnjës, Merdari, Përpellaci e deri te vija kufitare e Karadakut të Gjilanit, nga zaptuesit e egër bullgarë e serbë. Ne kemi dëgjuar se familja e makollëve i kanë dhënë bukë dhe i ka strehuar trimat Musli Dumoshin dhe Azem Bellaqevcin (Jashanicën) pas Luftës së Dytë Botërore. E dimë, gjithashtu, se djali i makollëve ia kalli datën Dushan Turuqicës në mes të ditës dhe prej atëherë krejt krahina e Llapit mori frymë lirisht. Kush iu gjet afër, në kohën më të vështirë, bacës tonë, Adem Demaçit, pos djali trim i makollëve, Shasivari? Nuk e tha kot pak më parë gjenerali i ushtrisë shqiptare, Kudusi Lame, se Shasivari nuk ndodhej rastësisht afër fuqisë kombëtare, Adem Demaçit. Patën shumë pika të përbashkëta baca Adem dhe Shasivari, por kryesoren e patën Nënën Shqipëri.

Pas luftës së UÇK-së Shasivari u angazhua me mish e me shpirt (si i thonë fjalës) për riaktivizimin e KEK-ut, me gjithë shokët që i kishte pranë. Në dy vjetët e para KEK-u u ringjall plotësisht. Pastaj u hetua një plogështi në entuziazëm të punës. Qali e hetoi që nuk ishte më koha e sakrificës së Shkurte Pal Vatës me shokë. Tani sakrifica ishte zëvendësuar me interesin vetjak. Pra, kishte vdekur ideja e heronjve të punës… Përkundrazi…! Ishin ngjallë orekse të tjera…!

Me rëndësi është se Shasivar Makolli, përmes vajzës së tij, Meritës, ua la porosinë brezave që vijnë pas nesh, se era (aroma) e vetme që i rritë brezat tanë dhe i bënë të shëndetshëm, është aroma e Shqipërisë.

Prishtinë, 07.05.2019

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se sot…