Erich Rathfelder shpallet “Qytetar Nderi” i Rahovecit
Udhëhequr nga kryesuesi i Kuvendit, Arbër Zenuni, në prani të kryetarit të komunës, Smajl Latifi, anëtarëve të Kuvendit Komunal, përfaqësues të klerit e qytetarë të pranishëm, u mbajt seanca solemne për ndarjen e dekoratës “Qytetar Nderi” i Rahovecit.
Në fjalën e tij, kryetari Latifi, u shpreh se ky diplomat e gazetar pati denoncuar gjeonocidin serb mbi shqiptarët dhe e njihte mirë natyrën barbare të serbëve.
Ai ka theksuar se për qytetarët e Rahovecit, gazetari Rathfelder është ikonë e mirësisë dhe e miqësisë.
“Përjetimet e tij në Kosovë, që nga viti 1987 e këndej, sidomos gjatë luftës së fundit, e trandën opinionin publik në Gjermani e më gjerë, ndërsa propaganda serbe që i druhej të vërtetës, nuk la mjet e metodë pa përdorur që ta heshtte këtë zë kumbues. Nuk iu mjaftoi që vetëm ta shpallnin të padëshirueshëm (non grata), por edhe e kërcënuan me vdekje. Falë gjeturisë dhe përkushtimit të tij, ai i tejkaloi këto sfida dhe me librin e tij “Kosova, Historia e një konflikti”, ia dëshmoi botës fytyrën e vërtetë të një shteti gjenocidal që synonte të nënshtronte e madje të asgjësonte joserbët në territorin e ish-Jugosllavisë”, ka pohuar Latifi.
Shefat e grupeve të asambles komunale, shprehen falenderim dhe mirënjohje gazetarit gjerman, Erich Rathfelder, për angazhimin dhe përkushtimin ndaj drejtësisë dhe lirisë së popujve të persekutuar nga serbët.