Erjon Bani emërohet zëvendëskryetar i GjKKO-së
Erjon Bani është zgjedhur zëvendëskryetar i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO), i cili ka zëvendësuar Irena Gjokën, e cila ka përfunduar mandatin tre-vjeçar.
Ai është zgjedhur me gjashtë vota si zëvendëskryetar i GjKKO-së përballë kandidatit Erjon Cela.
Njoftimi i plotë:
Më datë 24.03.2021 rezulton se znj. Irena Gjoka është zgjedhur si Zëvendëskryetare e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Sipas akteve ligjore dhe nënligjore mandati i Zëvendëskryetarit është tre vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme. Prandaj, znj.Irena Gjoka i mbaroi mandati më datë 24.03.2024.
Për këto arsye, mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar zhvilloi sot më datë 25.03.2024 procedurën për zgjedhjen e zëvendëskryetarit të kësaj gjykate. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe zëvendëskryetari i këshillit të lartë gjyqësor z. Ilir Rusi.
Referuar kërkesave të nenit 26, pika 3 të Ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në R.Sh.” si dhe të vendimit Nr. 7, datë 21.12.2018 “Rregullore për miratimin e rregullave për zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të gjykatave” të Këshillit të Lartë Gjyqësor, që parashikojnë zgjedhjen e zëvendëskryetarit nga rradhët e gjyqtarëve të Gjykatës, pas procesit të verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore për dy kandidaturat e paraqitura, konkretisht gjyqtarët Erjon Bani dhe Erjon Çela, në prani të nëntë gjyqtarëve, Mbledhja e Përgjithshme vijoi me kryerjen e procedurës së votimit.
Në përfundim, Z. Erjon Bani, rezultoi i zgjedhur me 6 vota, si zëvendëskryetari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në kushtet kur pozicioni i kryetarit është vakant, z. Erjon Bani do të ushtrojë kompetencat e kryetarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, deri në zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.