Ermonela Jaho dhe Placido Domingo bashkojnë forcat në Pekin
Sopranoja Ermonela Jaho do të ngjitet në skenën e Qendrës Kombëtare të Arteve në Pekin në rolin e Thais, personazhit kryesor të operës me të njëjtin titull.
Ajo do të jetë në krah të baritonit me famë botërore Placido Domingo, që në veprën e kompozitorit francez Jules Massenet, do ta ketë rolin kryesor të murgut Athanael.
Ngjarjet zhvillohen në Egjiptin bizantin të shekullit IV para erës sonë. Murgu Athanael që jeton në Aleksandri përpiqet ta konvertojë kurtizanen e quajtur Thais në krishterim, por zbulon mëkatin trupor dhe e gjen veten të nënshtruar ndaj hijeshisë së saj.
“Thais është shumë ndryshe, është një vepër më elegante. Do një lloj meditimi. Çdo gjë ka një përgatitje psikologjike nuk është e drejtpërdrejtë si muzika italiane që shpërthen, siç është tek ‘Madame Butterfly’ apo tek ‘Traviata’, ndërsa ‘Thais’ vërtet ka ato shpërthimet e veta, por me një lloj kontrolli. Edhe njerëzit e kontrolluar kanë atë zjarrin e brendshëm që mendoj se karakteri ynë ballkanas e mesdhetar e ndihmon për t’i dhënë një ngjyrë. Ndihem shumë mirë, por përsëri është një sfidë sepse, pavarësisht se i këndon operat me qindra herë, çdo ditë ka gjëra për të zbuluar”, ka thënë Jaho për “CRi Shqip”.
Forca krijuese që fshihet pas prodhimit të ‘Thais’-it nga Qendra Kombëtare e Arteve e Pekinit është regjisori argjentinas Hugo de Ana. Ai është skenografi dhe kostumografi i shfaqjes. “Opera ndjek rrugëtimin e murgut ndaj do të përdorim multimedian për peizazhet e lëvizshme. Për publikun, ndjekja e kësaj opere do ta krijojë përvojën e kalimit nëpër rrugëtimin e mugut, si për shpëtimin e shpirtit, ashtu edhe të mëkatit trupor”, ka thënë regjisori argjentinas.
Regjisori De Ana ka theksuar se muzika e veprës është “jashtëzakonisht e bukur si kur përshkuan kufizimet fetare, ashtu edhe betejat e brendshme të karaktereve”. Opera ‘Thais’ është vepra e parë e Qendrës Kombëtare të Arteve të Pekinit për kalendarin e vitit 2018.