“Erveheja”, një dramë e karaktereve dinamike
Në kujtim të dramaturgut dhe aktorit Ahmet Qirezi (1932-2019)
Prof. dr. Haqif MULLIQI
Moto: “Erveheja” flet mbi bukurinë, dashurinë dhe besnikërinë dhe luftën jetësore të një gruaje, që përjeton furishëm dhe pamëshirshëm stuhitë dhe katanditë shpirtërore në dallgët e jetës së saj. Kjo dramë, që vjen si një frymëzim i fuqishëm i autorit të saj, Ahmet Qirezi, ngërthen në vete edhe shumë motive të kohës kur zhvillohet ngjarja e veprës, por edhe kohës kur u shkrua drama.Drama “Erveheja”, para së gjithash, është konceptuar si një vepër për teatrin. Është një vepër që flet me gjuhën e teatrit. I shërben teatrit duke u karakterizuar me një saktësi si dhe me një mbarështim dinamik të ngjarjeve të konstruktuara mbi të gjitha për skenën teatrore. Kjo mendojmë se vjen edhe si rezultat i logjikshëm për faktin se dramaturgu Qirezi në kohën kur e ka shkruar këtë vepër ishte me profesion aktor dhe me korrektësi i njihte ligjshmëritë e skenës.Në këtë kuadër duhet të theksojmë se “Erveheja”, dramë e Ahmet Qirezit, është e kompozuar me një stil të pazakonshëm dhe mjaft fin. Por, pashmangshëm, edhe në mënyrë esenciale dramatike dhe me pasion duke u argumentuar edhe brenda vetvetes me shembuj të qartë dhe shumë funksionalë, tipikë për dramat e kësaj provenience që kanë brenda vetes sedimentime lirike, epike apo edhe baladeske.Ndaj mendojmë se, drama “Erveheja” e autorit Ahmet Qirezi ngërthente në vete një segment akoma të pa hulumtuar të tërësive dramaturgjike të kohës kur është shkruar dhe vënë në skenë si një vepër tejet domethënëse dhe po aq interesante e cila vazhdon të jetojë për katër dekada rresht. Në fakt, po e lexuam me devotshmëri dhe përkushtim profesional këtë vepër fare lehtë do ta kuptojmë se tek drama “Erveheja” e Ahmet Qirezit janë të identifikueshme preokupimet gati-gati pasionante të autorit për forma foljore në qartësinë e gjuhës për skenë dhe teatër që ka vepra si dhe në vetë dialogun dramatik të saj. Këtu kemi parasysh, ta themi, zërat, mallkimet, qortimet, etj., që janë elementë tipizues për këtë vepër dramatike, me çfarë, mendojmë se autori i saj ia doli mbanë, duke i thyer apo edhe minimizuar në zona rrezikueshmërie format e klisheizuara të dramës sonë të shkruar deri atëherë, kur çdo gjë ishte krejtësisht e bardhë ose krejtësisht e zezë në to; apo, krejtësisht e mirë e krejtësisht e keqe; duke hedhur kështu mbi sipërfaqe një si shëmbëlltyrë dhe model të qartë e pozitiv, shprehjen e re dramatike të vet autorit por edhe dramaturgjisë sonë të asaj kohe, pjesë e vlershme, e qëndrueshme dhe kampione e së cilës u bë që atëherë.
Një narrativë jo e zakonshme
Interpretimet dhe vizionet dramatike të Qirezit në këtë vepër, si dhe krijimi i motiveve të “virtytit femëror” që reflekton mbi figurën stoike dhe të çiltër të kryeprotagonistes së kësaj vepre, pra Ervehesë, apo edhe trafikimi i thellë i djallëzisë së kunatit të saj nëpërmjet teknikave të gjuhës shpjeguese të kësaj drame, e cila është e mungueshme te poema me po këtë emër ku gjen idenë dhe frymëzimin ta shkruajë këtë dramë Qirezi, për mendimin tonë të thjeshtë, e tejkalon objektivin e narratives së zakonshme të këtij tipi të dramave, duke e bërë kështu zbërthimin e saktë, madje dhe milimetrik të karaktereve të tjera të veprës, si mënyrë e tregimit të shtresimeve dramatike që dalin të jenë më të ngjeshura, sidomos në përshkrimet e pasioneve të vet atyre personazheve.Personazhet që na i sjell para nesh Qirezi, duke e bërë një përzgjedhje jashtëzakonisht të saktë dhe të efektshme të tyre, për të qenë në funksion të idesë së intencës së tij dramatike, gati pahetueshëm na fusin në faza të të menduarit energjik dhe të plotë, jo vetëm mbi atë se si shpërfaqen këto personazhe dhe si vijnë në dramën që ndërtohet, thuret dhe shthuret para nesh, por edhe për shkak të gërshetimit të tyre dhe trafikimit të thellë dhe të saktë të tipareve që ndërtojnë karaktere të fuqishme, vepruese dhe domethënëse në të njëjtën kohë, për dramën dhe situatat brenda të cilave riciklohen në vazhdimësi. Apo edhe saktësia me të cilën këto personazhe ia dalin që t’i shpërfaqin dhe plasojnë emocionet e tyre themeltare për ta honepsur lexuesin.Mendojmë se është disi e veçantë edhe mënyra se si, po këto personazhe, dëgjojnë, se si përgjojnë, apo edhe se si, ndonjëherë, në mënyrë të gabueshme, i absorbojnë replikat e deklamuara nga personazhet e tjera me të cilat kanë të bëjnë, ku i veçantë dhe i plotë kompleks del kryepersonazhja e kësaj vepre, apo kryedramatikja e saj, Erveheja.
Këtu mund ta spikasim çastin kur Erveheja i reziston përpjekjeve dhe kërcënimeve me vdekje qe kunati i saj i bën asaj. Do të thotë skena kur vëllai i tërbuar nga inati, hakmerret ndaj Ervehesë (kunatës së tij), duke shpifur, shantazhuar, duke shkelur çdo parim moral vetëm e vetëm që ta akuzojë atë për pabesi apo dhe prostitucion, gjë që e shpie para gjyqit, që të dënohet me vdekje me gurë nën ligjin e kohës. Pikërisht këtu, pra, kemi rastin tipik sikurse te Shekspiri, ta themi, kur një thashethemnajë shndërrohet në informacion tragjik për Hamletin, apo edhe si një shpifje gojëkëqijsh cytë forma fantastike të xhelozisë fatale të Othellos.Në këtë segment mendojmë se aspak më minore s’do të ishte të kuptuarit, se te drama “Erveheja” e Ahmet Qirezit, hasim, apo, edhe më thjesht, ndjejmë një lloj fascinomi, apo mahnitjeje të autorit me shprehjet e zëshme foljore të personazheve të veprës së tij, të cilat, për mendimin tonë, shprehin, por edhe krijojnë një transfigurim të një obsesioni të përgjithshëm kulturor dhe njerëzor, një obsesion poetik me përplot rreziqe të cilat i sjellin thashethemet, të bigonive si dhe “bisedat e fshehta” që janë tipike jo vetëm për kohën kur është vendosur ngjarja që trajton autori në veprën e tij.
Dramë e përmbysjeve…
Derisa lexohet kjo vepër shumë e njohur e Ahmet Qirezit, pra drama e cila praktikisht hyri dhe do të mbetet në mbamendjen tonë si vepra e cila e përmbysi dramaturgjinë bukolike, dramaturgjinë realiste dhe edhe atë socrealiste të deriatëhershme, mendoj se, pashmangshëm, shpaloset një ndjeshmëri subjektive. Thjesht, lexuesit disi do t’i pëlqejë ndjenja kur përfundon ndonjë dramë, film e në veçanti libër i mirë, ndërsa, për ca çaste nuk e di çfarë është reale e çfarë s’është reale brenda dhe përreth tij. Kjo ndodh atëherë kur lexuesi nuk e ka plotësisht të qartë se a është i pikëlluar apo i gëzuar me vërshimin e ndjenjave të trazuara që në këto raste ngelin pa ndonjë harmoni apo edhe sistemim të qartë dhe racional të tyre. Në këtë rast, ne nuk e dimë me saktësi se a jemi të frymëzuar apo të mposhtur me të vërtetën e vrazhdët të cilën sapo e zbërthyem, sapo e kuptuam dhe sapo e përjetuam thellësisht!Duhet t’jua them se mu kjo, mbase, edhe më ishte ndjenja e parë, pasi që i kisha mbyllur kopertinat e kësaj drame të sapobotuar të Ahmet Qirezit, dhe t’i kem rënë në fund. Besoj se kështu ndodh gjithmonë, sa herë që do ta lexoni këtë dramë të veçantë dhe shumë interesante. Dramë që trajton një legjendë të lashtë të lindjes për t’u shndërruar vetë në një si legjendë të pazakonshme të kulturës së një populli dhe të një vendi. Por kjo nuk është ndonjë ndjenjë fataliteti. Ngaqë ne, nuk duhet ta fshehim asnjë lloj ndjesie që na krijon vepra, e, madje, as atëherë kur e kuptojmë thellësisht dhe qartësisht se, ndoshta, për pak kohë mund të mos i përkasim më botës reale, por thjesht, ndonjë sfere tjetër, të ndonjë universi tjetër apo edhe ndonjë periudhe tjetër kohore siç ishte, ta themi, ajo në të cilën Erveheja veproi dhe u përpoq të mbijetonte me të tëra sfidat, dhembjet dhe padrejtësitë që rëndom në dramë personazhin e shpijnë në fatalitet.
Me pak fjalë, “Erveheja” e Ahmet Qirezit është dramë e cila, përfundimisht e sjell këtë ndjesi, apo edhe këtë kënaqësi, më saktë, si dhe atë çastin joreal të ngazëllimit, për shkak të kualitetit të kompozimit të fabulës, të mbarështimit kompleks të saj si dhe mjeshtërisë së autorit që ta bartë forcën e kësaj vepre, qoftë me monologët dhe dialogët jashtëzakonisht të qartë dhe funksionalë, por dhe të fuqishëm që ka krijuar në dramë, apo edhe skalitjen e plotë dhe të saktë të karaktereve aq dinamike dhe aq vepruese të kësaj vepre. Mendojmë se për këtë ne duhet t’i jemi mirënjohës Qirezit, ndoshta faktit që dikur ishte aktor. Aktor që jetoi, bashkëjetoi dhe frymoi me skenën e teatrit. Që e deshi magjinë e dritave dhe të skenës. Ndaj dhe se kishte të vështirë ta dinte saktë se për çfarë kishte nevojë drama e tij, dhe ç’ndërtim duheshin të kishin ngjarjet, apo edhe personazhet që i ka futur në zjarrin e imagjinatës së tij të jenë pozitivë, apo negativë, të mirë apo të këqij, me fat apo fatzinj.
Thjesht që marrëdhëniet njerëzore në këtë vepër t’i shpalosë në masën e duhur dhe bindshëm për veprën.Dhe krejt në fund duhet thënë se “Erveheja” e Ahmet Qirezit është një vepër e bukur dhe dramatike. Një vepër e cila, përveç vlerave letrare, dramatike dhe estetike, do të ketë edhe një vlerë tjetër shumë domethënëse, ngaqë ishte vepra e parë e cila sinjifikoi dramaturgjinë ndryshe ndër shqiptarët dhe na krijoi mundësinë, jo vetëm që të bëjmë një teatër ndryshe, por edhe të nisim të mendojmë dhe reflektojmë në mënyra më të thella, më imagjinatave, më të sakta dhe më të kohshme për dramën dhe teatrin në përgjithësi dhe vlerat e tyre. Pa “Ervehenë” e Ahmet Qirezit, mendojmë se shumëçka në dramën dhe teatrin tonë nuk do të ishte siç është sot, apo edhe siç do të jetë në të ardhmen. “Erveheja” e Qirezit duket se erdhi në kulturën tonë thjesht dhe pahetueshëm, që një teatër të vockël ta drejtojë kah shtigjet e gjata dhe të mundimshme, pra që të bëhet teatër i madh i përmasave evropiane.
(Autori është profesor i rregullt në Fakultetin e Arteve në Prishtinë)