Escobar dhe ambasadori Hovenier takohen me Rakiqin dhe kryetarët e komunave në veri të Kosovës
I dërguar Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është takuar me përfaqësuesit e Listës Serbe në Kosovë.
Escobar bashkë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier kanë takuar kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq si dhe kryetarët e katër komunave në veri të vendit.
Në këtë takim thuhet të jetë diskutar për situatën aktuale politike dhe atë të sigurisë.
“Zëvendësndihmës sekretari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë takuan kryetarin e Listës Serbe, kreun e Klubit të Parlamentarëve dhe kryetarët e Severna Mitrovicës, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut dhe diskutuan për situatën aktuale politike dhe gjendjen e sigurisë”, ka thënë Rakiq në Facebook.
Gabriel Escobar sot ka takuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti.
Po ashtu gjatë pasdites Escobar ka takuar edhe përfaqëuesit e partive opozitare në vend.
Pas këtyre takimeve, Escobar pritet që nesër të shkojë drejt Beogradit, ku edhe do të takojë kryeministren serbe, Ana Brnabiq si dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ndryshe kjo vizitë e Escobar është e dyta me radhë brenda muajve.
Escobar bashkë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian janë deklaruar në lidhje me nevojën e arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes Kosovës dhe Serbisë, përmes zhvillimit të dialogut.