Escobar: Dialogu ka mbështetjen e SHBA-së dhe duhet të udhëhiqet nga BE-ja

31 janar 2022 | 18:45

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Ballkani Perëndimor është mundësi e jashtëzakonshme për Bashkimin Evropian dhe jo rrezik.

Pas takimit që zhvilloi sot në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, Escobar ka theksuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do ta afrojë më shumë Kosovën drejt Bashkimit Evropian dhe komunitetit trans-atlantik.

“Për Kosovën dhe rajonin, ne e shohim këtë zonë si një mundësi të jashtëzakonshme me energji të jashtëzakonshme. Ju jeni evropianë, ekonomikisht, historikisht dhe kulturalisht jeni evropianë dhe ne kemi punuar me kolegët tanë evropianë për t’u siguruar se ata e njohin që Ballkani Perëndimor është një mundësi e jashtëzakonshme për ta dhe jo rrezik. Në këtë kuptim, ne inkurajojmë të gjitha palët që ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtarë potencialë të BE-së në të ardhmen, që të gjitha ata në paqe me njëri-tjetrin, që të gjithë produktivë dhe anëtarë të aftë, ashtu siç i kemi parë ne si partnerë bilateralë. Shpresa kryesore për këtë është përmes dialogut”, ka thënë ai.

Gabriel Escobar ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së për Kosovën.

“SHBA fuqimisht mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. E keni treguar se jeni partner solid, mik i mirë dhe ju falënderojmë për këtë”, ka deklaruar Escobar.

Escobar, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, të hënën nisën vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, vizitë që ka për qëllim inkurajimin e liderëve në të dy shtetet për angazhim në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku evropian. Duke folur për dialogun, Escobar ka thënë se ky proces ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit.

“Dialogu ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga BE-ja sepse ka të bëjë me Evropën. Por, teksa ju lëvizni drejt BE-së, ju do të vazhdoni të jeni miq të ngushtë të SHBA-së sepse është një partneritet trans-atlantik, komunitet trans-atlantik që ju veçse jeni pjesë dhe ky dialog do të ju afrojë edhe më shumë”, ka thënë Escobar i cili njëherësh është edhe zëvendësndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi,…