Escobar: Do të ketë pasoja për Serbinë nëse serbët nuk marrin pjesë në zgjedhjet në veri

18 korrik 2023 | 21:44

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka raportuar para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së lidhur me situatën mes Kosovës dhe Serbisë.

Escobar tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në shtensionim dhe se janë duke punuar për t’i çuar përpara shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimeve evropiane dhe transaltantike.

Duke folur për komunat veriore, Escobar, ka thënë se ka marrë zotime që Serbia nuk do t’i kundërshtojë zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës dhe se Serbia do të përballet me pasoja nëse vepron ndryshe.

“Kemi qenë shumë të ashpër ndaj Serbisë për sa i përket kushteve që kërkojnë për pjesëmarrje në proces demokratik që është në Kosovë, pra kemi marrë zotimin që nuk do ta kundërshtojnë, dhe janë pasojat për Serbinë nëse nuk e bënë këtë, por vazhdojmë të punojmë me BE-në që plani trepikësh të zbatohet”, ka thënë ai.

Tutje ai ka folur edhe për Marrëveshjen e Ohrit, dukë thënë se i kërkohet Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial.

“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Ndërsa shton Escobar, sipas kësaj marrëveshjeje, Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne besojmë që të dyja vendet duhet të angazhohen menjëherë në këto aspekte, pa parakushte. Duhet të nisin ta kryejnë pjesën e tyre”, ka thënë Escobar.

Masat ndaj Kosovës, Escobar ka thënë se refuzon t’i quajë sanksionet, derisa ka përmendur se e vetmja gjë me të cilën nuk është pajtuar ShBA-ja ka qenë dërgimi me polici i kryetarëve në katër komunat veriore.

“Do të punojmë për realizimin e planit trepikësh”, ka thënë ai duke folur për rrugën përpara si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

Escobar ka thënë se shpreson në përparim të rëndësishëm këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ballkani do të zhvillojë nesër ndeshjen e kthimit ndaj Ludogoretsit,…