![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/12/eskobar-albania-780x439-1.jpg)
Escobar: Hetimet ndaj grupit serb në veri kanë filluar nga administrata Trump
Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, ka thënë se vendimet për të shpallur një zyrtar apo ish-zyrtar si të korruptuar është institucional dhe aspak politik, duke sjellë në vëmendjen rastin e dy ditëve më parë, me sanksionet ekonomike që iu vunë grupit serb në veri të Kosovës.
Ai ka deklaruar se edhe në rastin e sanksioneve ndaj serbëve të Kosovës, hetimet janë zhvilluar qysh në kohën kur president i ShBA-së ishte Donald Trump.
“Nëse sheh rastet e shpalljeve të bëra dje në veri të Kosovës, ato hetime u deshën vite të zhvilloheshin. Nuk është thjesht kjo administratë, por edhe administrata e mëparshme dhe administrata para saj kanë zhvilluar hetime”, ka deklaruar Escobar në një intervistë për News 24.
Ai ka folur edhe për shpalljen non grata të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Sipas tij, pretendimet e Berishës se vendimi për shpalljen e tij non grata ka qenë skemë e Sorosit e miqve të tij për shkak se ai ishte kundër ndarjes së Kosovës , janë të gabuara.
“Absolutisht nuk është reale. Kjo është absolutisht e gabuar. Është e rrezikshme”, ka deklaruar Escobar.
Escobar, i cili njëherësh është edhe i dërguar i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar se shumë njerëz pyesin pse Amerika më shumë i shënjestron rusët, ukrainasit apo serbët, por ai thotë se nuk e kanë këtë qëllim.
“Pse i shohim më të shënjestruar rusët, apo ukrainasit apo serbët? E vërteta është se ne e ndjekim korrupsionin aty ku është. Pra, kjo është një përpjekje midis agjencive, një përpjekje midis shumë agjencive, që përfshin Departamentin e Thesarit, FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Shtetit, për të kuptuar se ku është korrupsioni dhe për të kuptuar se ku është ndikimi gërryes. Dhe ky është një vendim institucional, jo një vendim politik”, ka deklaruar Escobar.