Escobar: Nënshkrimi ose jo i marrëveshjeve nuk ndikon në detyrimin për zbatimin e tyre

04 nëntor 2023 | 11:33

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar i ka thënë Zërit të Amerikës se marrëveshjet që kanë arritur Kosova dhe Serbia, janë detyrim ligjor për të dyja palët dhe se nënshkrimi ose jo i tyre, nuk ndikon në obligimin që kanë ato për zbatim.

Në takimin e fundit me udhëheqësit evropianë në Bruksel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de-facto të Kosovës.

I pyetur se si do të vazhdohet më tej, pas këtyre qëndrimeve, Escobar ka thënë se këto dy deklarata nuk pasqyrojnë realitetin, pasi ato marrëveshje janë të ligjërisht të detyrueshme, gjë që dy liderët, sipas tij, e kanë pranuar këtë fakt.

Escobar ka thënë mes tjerash se dy udhëheqësit e kanë marrë këtë angazhim përpara Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara dhe se palët kanë detyrime specifike për të ndërmarrë në rrugën drejt normalizimit; Kosova në formimin e Asociacionit dhe Serbia njohje e dokumenteve doganore të Kosovës, targave, letërnjoftimeve e të tjera.

Zyrtari amerikan ka thënë se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun dhe se ajo që ka mbetur lidhet vetëm me kohën dhe mënyrën se si do t’i zbatojnë të dyja palët detyrimet.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.

Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç u arrit pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja e Bizneseve të Kosovës, me anë të një komunikate…