Escobar: Nga Kosova presim angazhim në dialog dhe kompromis

16 shkurt 2022 | 18:22

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Uashingtoni ia kanë bërë të qartë Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, se për të arritur deri te njohja reciproke me Serbinë, Prishtina duhet të bëjë kompromise.

Escobar u paraqit të mërkurën para nënkomitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, ku foli për angazhimin dhe strategjinë e Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor.

Duke folur për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Escobar tha se ky proces nuk është për statusin e Kosovës, por për njohjen e ndërsjellë, raporton Rel.

“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës se ne presim që ata të angazhohen plotësisht në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe t’i shohin ato si negociata të vërteta për të arritur qëllimin kryesor të tyre që është njohja e ndërsjellë me Serbinë, njohja nga pesë shtetet e BE-së, dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare që ata duan të anëtarësohen. Kjo do të kërkojë kompromis dhe ne kemi qenë shumë të qartë. Ambasadori ynë i ri, Jeffery Hovenier e ka bërë këtë shumë të qartë gjatë takimeve të tij të para me Qeverinë Kurti dhe ai do të vazhdojë ta bëjë këtë dhe ne do të vazhdojmë që ta mbështesim atë”, tha Escobar.

Së fundmi, Escobar, së bashku me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, kanë vizituar Kosovën dhe Serbinë dhe u kanë bërë thirrje palëve që të rikthehen në bisedime, pasi që nga korriku i vitit të kaluar, në Bruksel nuk është mbajtur asnjë takim i nivelit të lartë.

Escobar dhe Lajçak po ashtu kanë kërkuar që të jetësohet marrëveshja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

I pyetur nga senatorët amerikanë nëse Asociacioni do ta destabilizonte Kosovën, Escobar tha se mendon që kjo gjë nuk do të ndodhë.

“Ne e mbështesim krijimin e Asociacionit për shumë arsye. E para është se për të palët veçse janë pajtuar. Edhe pse Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa pjesë nuk kanë qenë në përputhje me Kushtetutën, nuk ka thënë se vetë Asociacioni është jokushtetues. Në kontekstin e dialogut, është në dorën e Kosovës dhe Serbisë që të vendosin se si do të dukej. Nuk duhet të jetë, dhe sigurisht ne nuk duam që të jetë i ngjashëm me Republika Sërpskan, por ne i kemi bërë thirrje, dhe homologu im Lajçak i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të shikojë modelet që ata besojnë se mund të jenë të përshtatshme që nuk do të minojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e tyre”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për nder të 14…