Escobar për Asociacionin: Duhet të gjenden modele që nuk dëmtojnë sovranitetin apo funksionalitetin e Kosovës
Përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një konferencë për media ka folur edhe për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Escboar tha se të dyja palët si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në kuadër të dialogut.
“Ne nuk jemi pjesë e dialogut nuk jemi pjesë e negociatave por siç tha z.Lajcak ne besojmë që të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen, megjithatë ne nuk kemi ardhur këtu me ndonjë propozim se çfarë duam të imponojmë, ne po u kërkojmë të dyja palëve të tregohen konstruktive dhe të na tregojnë vizionet e tyre sesi duhet të duket Asocioacioni dhe të vazhdojmë nga aty brenda kornizës së dialogut”, tha Escobar.
Ai shtoi se kur ka përmendur që ka shumë opsione për krijimin e Asociacionit, nuk ka përmendur që të jetë një model që mund të dëmtoj sovranitetin e Kosovës.
“Ajo çfarë kam thënë kur kam thënë që ka shumë opsione më krijimin e një Asociacioni, ka qenë për të thënë se nuk është e thënë që të jenë modele që dëmtojnë sovranitetin apo funksionalitetin e Kosovës. Duhet të gjendet një prej modaliteteve që nuk e cenojnë pavarësinë”, tha Escobar.
Përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, më tej theksoi se nuk është qëllimi i SHBA-ve që të imponojë ndonjë model ose të zgjedh një të tillë në emër të të dyja palëve.
“Nuk është qëllimi i SHBA-ve që të imponojnë ndonjë model, ose të zgjedh ndonjë model në emër të dyja palëve, megjithatë ne mund të ndihmojmë nëse ata kanë ndonjë model që duan të analizojnë”, tha Escobar.
Escobar tutje tha se sa i përket njohjes të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, është besim i tyre që të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor, duhet të jenë në BE.
“Ne duhet ta tejkalojmë dialogun dhe të shkojmë në një pozitë ku të gjitha vendet ta njohin njëri tjetrin, janë në paqe dhe janë në rrugë drejt integrimit në BE”, tha ai.